Skip to content

“Ballkani i Hapur projekt anti-amerikan”, Nishani sulmon qeverinë: Hajnia dhe tradhtia janë bërë bashkë

Ish-Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani i është bashkuar protestës së thërritur nga ish-kryeministri Sali Berisha. Gjatë fjalës së tij, Nishani ka sulmuar qeverinë Rama, duke e akuzuar për hajni dhe tradhti.

Ndër të tjera, Nishani theksoi se ”Ballkani i Hapur” është një projekt i mbrapshtë anti-amerikan dhe u shpreh falënderues ndaj qytetarëve që kanë dalë në shesh për ta kundërshtuar atë.

“Mund të ndodhë në një vend normal që në një ditë të vetme të themelohet kompania private, të regjistrohet në zyrat e shtetit, të futet në garë në tender e ta fitojë atë. Kjo ka ndodhur në skandalet e hajnisë së pa fre të kësaj qeverie. Hajnia e gjen kurajon te frika që ka ndaj ligjit.

Historia na ka mësuar që hajnia dhe tradhtia janë bashkë. Shqiptarët janë faktori kryesor i stabilitetit në Ballkan. Ne kurrë nuk kemi qenë kundër bashkëpunimit, ne kurrë nuk kemi qenë kundër bashkëjetesës, ne kurrë s’kemi qenë kundër respektit. Por ne kurrë nuk pranojnë rikthimin e influencës serbe në rajon.

Të dashur miq, i ashtuquajturi Ballkani i Hapur është projekti më i mbrapshtë anti-amerikan. Hajnia dhe tradhtia mund të marrin peng një njeri, por kurrë një popull të tërë që është dhe do të mbetet në këmbë”, deklaroi Nishani.