Teksa biznesi ankohet se largimi i fuqisë punëtore mbetet shqetësimi më i madh, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, Edona Bilali, e ftuar në emisionin “E-zonë” tha se projekti “Ballkani i Hapur” do të jetë një mundësi për tregun e punës.

 

Marrëveshjet e nënshkruara për krijimin e një tregu të përbashkët pune mes vendeve të rajonit është një mundësi më shumë. Një ndër avantazhet është pikërisht se oferta e burimeve njerëzore në Shqipëri nuk do të jetë më 3 milionë, por 22 milionë. Nëse një kompani ndërkombëtare dëshiron të pozicionohet në Shqipëri, nuk do të ketë mundësinë për të marrë vetëm shqiptarë, por edhe shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.”

 

Turizmi dhe manifaktura, sipas ministres, janë dy sektorët që do të mbështeten gjatë këtij viti me garanci sovrane nga qeveria. Janë sektorë të cilët janë prekur me së shumti nga kriza e pandemisë. Ndërkohë, 2022, sipas ministres, do të ketë një vit edhe më optimist për ekonominë.

 

“Ne gjatë tre viteve të fundit, mësuam se si kompanitë shqiptare janë shumë herë më të përshtatshme ndaj një mjedisi të jashtëm që ndryshon vazhdimisht. Është e çuditshme sesa shpejt kemi arritur ne të përshtatemi ndaj një mjedisi që vazhdimisht ndryshon. Ne kemi arritur brenda fasonit që të ndryshohet linja brenda 2 muajsh. Një kompani që ka patur 20 vite që punonte në veshmbathje, të kalonte e të provonte një produkt komplet tjetër. Kjo është diçka që në BE nuk do të ndodhte, pa kaluar të paktën 2 vjet.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re