Ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume e ka quajtur “të pakuptimtë” vendosjen e zv.kryeministres Belinda Balluku në krye të një task force që do të kontrollojë socialistët për të mos përdorur administratën shtetërore në zgjedhjet lokale të 14 majit.

Në një intervistë për Panorama TV, ai theksoi se Balluku është vetë kryeadministratore dhe duhet të zbatojë ligjin.

“Të zbatojë ligjin administrata dhe jo të ndërtojë struktura për të kontrolluar veten e saj, se si po e zbaton ligjin. Për mua s’ka kuptim”, u shpreh Kume.

Është ngritur një task-forcë për të kontrolluar sa i përket përfshirjes së administratës në zgjedhje dhe ky grup pune do të drejtohet nga Balluku, e cila është drejtuese politike në qarkun e Dibrës, a ka një konflikt interesi?

Kristaq Kume: “Të krijohen nëpërmjet sjelljes, efekte dhe presion për të mos zhvillimin e këtij fenomeni negativ që ka shoqëruar në përgjithësi proceset zgjedhore tek ne, përfshirjen e administratës shtetërore në fushatë, përmes detyrimit të saj. Se sa mund të realizohet dhe çfarë kuptimi mund të ketë kjo, kur tentohet të kontrollohet përfshirja e detyruar e administratës nga kryeadministratori që është Balluku nuk e kuptoj dot se çfarë efekti mund të ketë dhe se sa mund të pranohet kjo gjë, si edhe çfarë rezultati politik mund të ketë nesër. Sepse nuk e ka hallin njeri ‘hajt ta ndalojmë’, por për mua e kanë ‘hajt të themi që e ndaluam’.

Nuk shton asgjë kjo në kuadër të synimit për të pasur procese zgjedhore me standarde. Proceset zgjedhore me standarde realizohen nëse të gjithë bëhen bashkë dhe zbatojnë ligjin. Të zbatojë ligjin administrata dhe jo të ndërtojë struktura për të kontrolluar veten e saj, se si po e zbaton ligjin. Për mua s’ka kuptim, nëse është kështu.

Nuk e kam dëgjuar që Balluku qenka në krye të një task force që do të kontrollojë nëse administrata po zbaton ligjin apo jo, ajo është vetë administrata.”

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re