Zëvendëskryeministrja njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi sot kantierin e aksit rrugor Korçë-Ersekë. Gjatë inspektimit, ministrja Balluku shoqërohej nga drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ervis Berberi dhe kryetari i bashkisë së Ersekës, Erion Isai.

Ministrja Balluku tha se “jemi shumë të kënaqur me ecurinë e punimeve dhe mendohet ta dorëzojmë në qershor të 2023. Me infrastrukturën e duhur do të ketë një fluks qytetarësh që do të vijnë nga të gjitha qytetet për të vizituar Ersekën”. Sipas saj, puna në kantier është shumë e avancuar.

“Pjesa e parë e lotit të dytë ka përfunduar në 99%. Ndërsa tek ky lot është realizuar 77% ecuria e projektit. Është një kantier i konsoliduar”, shtoi Balluku.

Aksi rrugor Korçë-Ersekë kishte një gjatësi prej 45 kilometrash, ndërsa me përfundimin e segmentit të ri distanca shkurtohet në 35 kilometra. Ndërtimi i kësaj rruge nxit zhvillimin e mëtejshëm turistik të juglindjes së vendit duke afruar më pranë dy zona me mjaft potenciale, siç është Korça dhe Erseka.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re