Zv.kryeministrja Belinda Balluku në kantierin e nënstacionit elektrik në Velipojë
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka inspektuar sot punimet në kantierin ku po ndërtohet nënstacioni i ri elektrik i Velipojës.

Balluku u shpreh se ky do të jetë një investim që do të bëjë të mundur përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji elektrike në zonën turistike por edhe në zonën përreth.
Ndërsa solli në vëmendje faktin që nënstacioni po rindërtohet nga e para pasi i vetmi investim i bërë në këtë zonë sa i përket furnizimit me energji elektrike, kishte qenë një kabinë e vogël elektrike e ndërtuar në vitin 1995.

Mes të tjerash, Balluku foli edhe për problemet që janë hasur në ndërtimin e këtij nënstacioni elektrik.
“Jemi në nivelin zero dhe është normale të shfaqen probleme duke ditur edhe gjithë problematikën ujëmbajtëse të Fushë-Shkodrës, duhet të jemi të sigurtë prandaj kemi një rinivelim të ndërtesës”- tha zv.kryeministrja.
Më tutje ajo theksoi se duke qenë se pritet që të ketë një fluks të shtuar turistësh krahasuar me vitin e kaluar, duhet që të ketë përgatitje për të përfunduar më shpejt disa projekte në zhvillim e sipër.
“Duke qenë se ky do jetë një sezon shumë i rëndësishëm dhe priten mbi 14 milionë vizitorë, do na duhet që disa nga këto procese t’i çojmë shumë më shpejt përpara. I gjithë fokusi në këto momente ndodhet në zonat turistike. Jemi të përgatitur për ta përballuar këtë sezon por ndërkohë ju jeni edhe të përgatitur sa i përket një fluksi shumë të madh që do kemi sidomos në ultërsirën perëndimore”- shtoi Balluku.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re