Rruga Berat-Ballaban, që kalon përmes Beratit, Skraparit, Përmetit dhe Tepelenës ka 35% të punimeve të përfunduara. Sipas ministres Belinda Balluku, ky është një aks që do të ofrojë zhvillim turistik dhe bujqësor për fshatrat që shtrihen përgjatë tij.

“Është një projekt që pasi e kemi studiuar, pas studimit të ARRSH arritëm të gjejmë fondet për të hapur këtë rrugë mbi 58 km e gjatë e ndarë në 3 lote dhe ne sot ndodhemi në lotin e 3, e kemi nisur nga krahu jugor i këtij kantieri, ndërkohë që kemi 2 lotet e tjera që janë nga 20 km, që shpresoj shumë t’i hapim gjatë vitit, në bazë të buxheteve të planifikuara. Është një rrugë e rëndësishme për zhvillimin bujqësor dhe atë turistik”, tha Balluku.

“Është mesazhi më i mirë që japim për ata djem e vajza që duan të rikthehen për biznese turistike, për agroturizëm. Sepse përmes kësaj rruge, ne ju çojmë turistët. Më përpara ata ankoheshin që nuk vijnë turistët sepse nuk ka rrugë”, u shpreh ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro.

Falë veprave infrastrukturore dhe përmirësimit të shërbimit, ministrja Kumbaro njoftoi se gjatë këtij viti Shqipëria pritet të vizitohet nga 13 milionë turistë.

“Turoperatorët privatë konfirmojnë jo më larg se dje se kanë të realizuara kontrata 30-40% më shumë sesa vitin e kaluar në këtë periudhë të prenotimeve. Jemi vetëm në fillim të vitit dhe këtu nuk llogarisim turistët që vijnë në mënyrë individuale. Sektori privat konfirmon që 13 milionë do të jetë nr i turistëve gjatë këtij viti”, tha Kumbaro.

Në funksion të turizmit, gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti pritet të hapet edhe gara për ndërtimin e aeroportit në Gjirokastër. /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re