Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku mbajti sot fjalën hapëse në ceremoninë e 10-vjetorit të krijimit të Këshillit të Investimeve, ku vlerësoi rolin e kësaj strukture si një platformë kyçe për dialogun mes qeverisë dhe sektorit privat.
Në fjalën e saj, Balluku theksoi se vetëm përmes dialogut të hapur dhe të sinqertë me biznesin mund të ndërtohet një klimë e qëndrueshme investimesh dhe një ekonomi konkurruese. Ajo nënvizoi se krijimi i Këshillit të Investimeve në vitin 2014 ishte një hap i menduar dhe i lidhur ngushtë me strategjinë e qeverisë për të forcuar partneritetin me sipërmarrjen dhe për të përmirësuar klimën e biznesit në vend.
“Shqipëria e vitit 2024 nuk ka asnjë krahasim me atë të 10 viteve më parë. Sot jemi më të zhvilluar, më të sigurt dhe më pranë integrimit europian,” tha Balluku.
Zëvendëskryeministrja kujtoi se Këshilli i Investimeve u themelua pas një memorandumi mirëkuptimi të firmosur me BERZH, vetëm gjashtë muaj pas marrjes së detyrës nga qeveria Rama në 2013, si një hap konkret për të institucionalizuar dialogun me sektorin privat.
Balluku vlerësoi se roli i Këshillit është tejkaluar nga një forum diskutimi, duke u kthyer në një instrument real për politikëbërje të mirë, veçanërisht në periudha sfidash si tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia e COVID-19.
Ajo theksoi se shumë nga reformat më të rëndësishme, si ajo e fiskalizimit, inspektimeve apo përballimit të krizave, janë zhvilluar në bashkëpunim me përfaqësuesit e biznesit, duke sjellë zgjidhje të zbatueshme dhe të mirëpritura në terren.
“Shpesh kemi shkruar ligje të mira, por që nuk janë zbatuar. Vetëm përmes diskutimit të hapur me sipërmarrjen kemi prodhuar legjislacion të drejtë dhe funksional,” deklaroi ajo, duke përmendur sektorin e energjisë si një shembull konkret të suksesit të këtij bashkëpunimi.
Balluku falënderoi partnerët ndërkombëtarë, në veçanti BERZH dhe SECO, për mbështetjen afatgjatë në ngritjen dhe funksionimin e Këshillit. Po ashtu, ajo vlerësoi shoqatat e biznesit dhe Sekretariatin e Këshillit për kontributin e tyre teknik dhe organizativ.
Në përfundim, ajo ritheksoi angazhimin e Qeverisë për ta mbajtur Këshillin e Investimeve si një strukturë të gjallë, të pavarur dhe të përkushtuar, duke shtuar se roli i tij do të mbetet thelbësor në rrugën drejt integrimit europian.
“Të vijojmë me këtë frymë bashkëpunimi, transparence dhe përkushtimi për një Shqipëri më të zhvilluar, më të fortë dhe më pranë Bashkimit Evropian,” përfundoi Balluku.



