Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se qeveria ka miratuar 3 vendime për shpronësimet e banorëve që preken nga ndërtimi I infrastrukturës, konkretisht në Vlorë, Patos dhe Roskovec.
Megjithatë, ministrja u ndal tek reforma në ujësjellës që sipas saj do të nisë intensivisht për të rritur mirëmenaxhimin në të gjitha bashkitë. Balluku tha se reforma e këtij sektori pritet që të përfundojë brenda 12 muajsh.
“Sot MIE kaloi tre akte që janë lidhur me shpronësimet në By Pass-in e Vlorës, për të vazhduar punën që kemi nisur dhe për ta përfunduar para sezonit veror 2022, në Patos për të vazhduar me projektin e rivitalizimit të qendrave të qytetit për një shëtitore që do të ndërtohet aty, në kuadër të rilindjes së qyteteve dhe ndërkohë një shpronësim në zonën e Roskovecit për një investim sa i përket ujësjellësave.
Është pjesë e strategjisë së qeverisë për të investuar intensivisht tek ujësjellësat kudo në Shqipëri. Nga takimi fundit më kryeministrin dhe kryetarët e bashkive tashmë kemi nisur një reformë të thellë të sektorit e cila do të përfundojë brenda 12 muajsh dhe që synon startimin e një mënyre të re menaxhimi. Fondet që janë investuar në sektorin e ujit, gjatë 3 viteve të fundit, kanë rritur kushtet teknike të operimit, por ajo që ne vërejmë, nga indikatorët që shprehen vetë nga ujësjellësat, nuk janë indikatorët që prisnim pas kësaj shume të investuar dhe punës intensive që qeveria ka bërë.
Në përputhje të plotë me autonominë vendore, por duke pasur parasysh që shërbimet cilësore për qytetarët janë prioritet për qytetarët ne do të nisim intensivisht reformën për sektorin e ujit për të rirtur mirëmenaxhimin në të gjitha bashkitë. Janë diskutuar disa mundësi, nga agregimi i disa prej ndërmarrjeve e deri tek bashkëmenaxhimi mes pushtetit vendor dhe qeverisë”, deklaroi Balluku.
