Balluku: Rritja e qytetarëve që përdorin platformën “eTransport”, besim në shërbimet online

Çdo ditë më shumë qytetarët platformën zyrtare “eTransport” për t’u informuar për shërbimet e transportit ndërqytetës në Shqipëri.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur se statistikat e kësaj platforme për periudhën janar–gusht 2025, tregojnë një rritje të vazhdueshme të interesit nga qytetarët.

Ky sipas, Ballukut, “është një trend që pasqyron besimin e tyre në shërbimet tona online”.

“‘eTransport’, platforma zyrtare digjitale për shërbimet e transportit ndërqytetës në Shqipëri, ofron informacione të përditësuara për linjat, oraret, stacionet dhe rezervimet elektronike, duke mundësuar udhëtime më të sigurta, transparente dhe komode për qytetarët”, u shpreh Balluku.

Vetëm gjatë 90 ditëve të fundit në këtë platformë u regjistruan 29 mijë përdorues. Gjatë periudhës janar-gusht 2025 rezultojnë 41 286 përdorues të cilët kanë shfletuar 286 807 faqe në platformë. Vetëm gjatë muajit gusht u regjistruan 11 219 përdorues aktiv.

“eTransport” është platforma zyrtare dedikuar transportit rrugor ndërqytetas me informacione online, prenotim dhe biletari elektronike, promovim dhe sugjerime për udhëtime.

Platforma elektronike “eTransport”, konsiderohet si e ardhmja digjitale e transportit rrugor ndërqytetës për udhëtarët vendas, por dhe turistët e huaj që këtë vit sipas autoriteteve, pritshmëritë janë të tejkalojnë shifrën 12 milionë.