Skip to content

“Balluku”/ Shtyhet mbledhja e Këshillit të Mandateve, deputetët dhe avokati do të marrin USB-në me vete

Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit në Kuvendin e Shqipërisë ka mbyllur pak minuta më pare mbledhjen mbi shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit për zv/kryeministren e njëherësh deputeten Belinda Balluku.

Në mbledhjen që nisi në 10:30, ndodhej edhe kreu i ri i SPAK Klodian Braho si dhe dy prokurorët Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.

Mbledhja është shoqëruar me debate të vazhdueshme proceduriale, ndërsa avokati i Ballukut ka kërkuar 3 javë kohë për t’u njohur me materialet.

Ndërkohë Partia Demokratike ka kërkuar fillimisht që mbledhja të jetë e hapur deri në momentin që prokurorët e SPAK të jepnin informacion të konsideruar sekret hetimor. Kjo nuk u pranua as nga kryeparlamentari Niko Peleshi dhe as nga prokurorët specialë, të cilët kërkuan që i gjithë procesi të zhvillohej i mbyllur.

Në një prononcim për mediat pas përfundimit të mbledhjes, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, tha se “prej orësh nuk është diskutuar asgjë lidhur me sekretin hetimor” dhe se “nuk është marrë parasysh kërkesa e pesë anëtarëve të opozitës për mbledhje transparente për publikun”.

“Edi Rama po i jep kohë vetes për t’u njohur me materialet dhe se deri në ç’nivel shkon kërcënimi apo rreziku i lëshimit të Belinda Ballukut. U bënë aq qesharakë saqë kërkuan që mbledhja e radhës të ishte muajin e ardhshëm”, deklaroi ai, duke falenderuar prokurorët e posaçëm “për profesionalizmin dhe durimin e treguar”, tha Bardhi, ndërsa shtoi se sipas SPAK, çdo vonesë vendos në rrezik provat.

LEXO EDHE: Përfundon mbledhja për Ballukun, Bardhi: Kuvendi po bëhet pengesë për SPAK

Kujtojmë se, Rregullorja e Kuvendit nuk përcakton një afat të saktë për përfundimin e shqyrtimit nga Këshilli, por pas mbledhjes, ka maksimumi 2 javë për hartimin e raportit përfundimtar. Ky raport duhet më pas të votohet në seancën plenare më të afërt.

Ligji parashikon gjithashtu një afat 3-mujor, brenda të cilit, nëse nuk merret vendim, kërkesa e prokurorisë bie automatikisht.

Një ditë më parë, Apeli i GJKKO-së la në fuqi masën e “ndalimit të daljes jashtë vendit” për Ballukun. Ndërkohë, nuk u shqyrtua ankesa për pezullimin e saj nga detyra, për t’i lënë kohë Gjykatës Kushtetuese të shprehet mbi ankimin e kryeministrit Edi Rama, i cili ka kërkuar zgjidhjen e konfliktit të kompetencave me Gjykatën e Posaçme.

Më 12 Dhjetor, Kushtetuesja vendosi rikthimin e Ballukut në detyrë, deri në vendimmarrjen përfundimtare mbi kërkesën e qeverisë, e cila është programuar për në datën 22 janar.

Belinda Balluku është marrë e pandehur nga SPAK nën akuzën e “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.

Gjithashtu SPAK ka bërë me dije se Balluku është nën hetim si e dyshuar për kryerjen e së njëjtës vepër penale për 7 lote të Unazës së Madhe të Tiranës.