Për Bamir Topin, ish-president i vendit, PD është tashmë një gërmadhë që ka zënë brenda Sali Berishën dhe Lulzim Bashën. Kështu tha në emisionin ‘Repolitix’, në Report TV, ish-presidenti Topi, teksa u pyet në lidhje me situatën politike brenda Partisë Demokratike, ku tha se situata është katastrofike.

“PD është një gërmadhë që ka zënë Bashën dhe Berishën brenda. Siç ndodh në situata tërmeti, ti mund të jesh në gërmadhë, mund të jesh dhe i gjallë, dhe i plagosur, por tek ajo ndërtesë ku ti je, dikush duhet të shpëtojë. Problemi është se janë në kushtet kur duhet të dalin vetë, po i zënë rrugën njëri-tjetrit se kush do të dalë më para. Kjo është katastrofike”- tha Topi.

Ish-presidenti, duke ju referuar hyrjes së Sali Berishës në selinë e PD-së, tha se ai e di shumë mirë ku është vija e kuqe, dhe e di mirë se është në fokus nga strukturat e drejtësisë. Madje sipas Topit, Basha po shpreson që Berisha të gabojë.

“Doktori pavarësisht shumë gjërave për t’u kritikuar, ka eksperiencën e tij dhe është në një moshë që e di se ku është vija e kuqe. Po tenton të ndërmarrë një aksion, por duke qenë inspirues i moralit të rikthimit të demokratëve në seli, por e me duart e të tjerëve.

Ai e di se njeriu që është më në fokus nga strukturat e drejtësisë, është ai. Basha po pret që Berisha të gabojë. Problemi nuk është se Basha shpreson të bëjë gol, por shpreson që tjetri të gabojë. Të dy palët nuk kanë më koshiencën racionale, por kanë instiktet dhe po mbrohen”- u shpreh Topi.

5 janari është afati i fundit që Komisioni i Rithemelimit, i ka lënë Bashës që të lirojë selinë e PD-së, por sipas Topit, këtë çështje do ta zgjidhë gjykata, ndërsa nuk bëri parashikime për ndonjë përplasje.

“Përderisa çështja ka shkuar në gjykatë ka një lloj qëndrimi, punohet në dy linja. Një linjë është juridike që e ka gjykata dhe linja tjetër është politike dhe luajnë me presione, por në fund fare do ë vendosë gjykata.

Do vendosja mbi bazë të parimeve! Të dy janë pjesë e vendimmarrjeve që kanë lënë shije shumë të hidhur në të kaluarën dhe një nga këto është si është zgjedhur Basha në krye të PD-së. Problemi është se gjykata ka të dhëna të mjaftueshme për t’i ndarë proceset nga njëri-tjetri”- tha Topi.

Bamir Topi tha se Berisha ka pësuar një metamorfozë të dukshme në politik pasi u shpall “non grata”.

“Ka një metamorfozë të dukshme në sjelljen politike të Berishës, që erdhi pasi u shpall non-grata. Ai bënte sikur nuk kuptonte arsyet e vendimit. Pastaj filloi të shikojë me sytë e tij që një pjesë e mbështetësve ishin me të.

Në momentin e parë ishte në mbrojtje, hap pas hapi filloi të krijonte forca, kur e pa që ekipi i tij e kalonte mesin e fushës dhe po shkonte në fushën kundërshtare, pa që mund të shënonte gol”, tha Topi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re