TIRANE- Është dhënë sot pretenca për Emiljano Shullazin dhe grupin e tij.
Prokuroria për Krimet e Rënda kërkoi sot 17 vite burg për Shullazin, ndërsa për Gilmando Danin 15. Ndërkohë, për pjesëtarët e tjerë të grupit Endrit Qyqja e Endrit Zela u kërkua 11 vite burg për secilin, ndërsa 10 vite për Blerim Shullazin.
Tre prokurorët e pranishëm në sallë, kërkuan 64 vite burg në total për bandën, ndërsa pohuan se ka prova që Shullazi dhe shokët e tij kanë kryer disa vepra penale. Shullazi u quajt fajtor për drejtimin e kësaj bande, apo dhe kanosjen për shkak të detyrës të dekanit dhe rektorit Mynyr Koni dhe Dhori Kule.
Në pranishëm në seancën gjyqësore ishin përfaqësues të Ambasadës Amerikane si ato gjermane. Seanca gjyqësore, e cila ishte e dhjeta në radhë, u monitorua nga forca të mëdha policore, për të monitoruar nga afër situatën.
E gjithë policia, forcat speciale, FNSH me armatim të rëndë zbarkuan dhe rrethuan institucionin dhe zonën përreth, ndërsa nga pamjet e siguruara nga ‘BalkanWeb’ shihen edhe autoblindat. Kujtojmë se çështja “Shullazi” shkaktoi një furtunë në Prokurorinë e Përgjithshme dhe atë të Krimeve të Rënda. Siç u raportua edhe pak ditë më parë, arsyeja e shtyrjes së seancës gjyqësore ishte pas kërkesës së Blerim Shullazit, i cili deklaroi se ishte i sëmurë.
Sakaq, Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi, nuk ishin prezent në seancë, ndërsa kafazi i hekurt është bosh. Në sallën e gjyqit janë vetëm avokatët e tyre.
Kryeprokurorja Arta Marku bëri lëvizje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe kërkoi hetim disiplinor për disa prej prokurorëve pasi nuk pranonin të merrnin përsipër çështjen. Por pas debateve u vendos dhe katërshja e tyre, Donika Prela, Gentjan Osmani, Anton Martini dhe Besnik Muçi.
(ed.me/BalkanWeb)



