Numri i të vdekurve në zjarrin që shpërtheu në një fabrikë ushqimesh dhe pijesh në kryeqytetin e Bangladeshit, Daka, u rrit në 52.

Zyrtari i Brigadës së Zjarrfikësve, Debasish Bardhan, tha në një deklaratë se 52 njerëz humbën jetën dhe të paktën 50 u lënduan në zjarrin që filloi në natën e 8 korrikut në fabrikën pesëkatëshe të kompanisë Hashem në Rupganj, një nga lagjet e jashtme të kryeqytetit.

Siç u njoftua, fakti që dyert e daljes kanë qenë të mbyllura nga brenda i ka penguar punonjësit të largohen, duke shkaktuar numër të lartë viktimash.

Ndërsa burimi i zjarrit nuk është i ditur ende, njoftohet se materialet kimike dhe plastike në fabrikë kanë rritur intensitetin e zjarrit.

Ende nuk është bërë e ditur se sa njerëz kanë mbetur të bllokuar në fabrikë dhe sa janë të zhdukur.

Qeveria ka urdhëruar një hetim mbi zjarrin.

Bangladeshi edhe më herët ka qenë skenë e zjarreve në fabrika dhe punëtori të vendosura në ndërtesa të vjetra dhe zona industriale me infrastrukturë të pamjaftueshme, që kanë shkaktuar numër të lartë vdekjesh.

Në vitin 2010, 123 njerëz vdiqën në një zjarr në një ndërtesë në Daka, ku ruheshin substanca kimike në mënyrë të paligjshme.

Në vitin 2012, një zjarr shpërtheu në një punëtori tekstili në periferi të Dakas, duke vrarë 112 njerëz.

Po ashtu, në vitin 2019, 67 njerëz vdiqën në një zjarr që shpërtheu në një lagje me dendësi shtëpishë, dyqanesh dhe deposh, kurse 25 vdiqën në një zjarr që shpërtheu në një kompleks shumëkatësh me punëtori.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re