Kryeministrja e Bangladeshit, Sheikh Hasina Wazed bëri thirrje që t’i ushtrohet presion Mianmarit për t’i dhënë fund persekutimit të muslimanëve të Arakanit (Rohingya).
Sipas lajmit të mediave vendore thuhet se gjatë fjalimit të saj në Sesionin e 63-të parlamentar të vendeve të Commonwealth-it, kryeministrja Wazed ka kërkuar nga anëtarët e komunitetit që t’i kushtojnë rëndësi çështjes së muslimanëve të Arakanit.
Duke shprehur se dëbimi i muslimanëve të Arakanit nga shtëpitë e tyre ka shkaktuar jostabilitet në rajon, Wazed thotë se “Prej jush kërkoj që të ushtroni presion ndaj qeverisë së Mianmarit, që t’i japë fund persekutimeve ndaj shtetasve të saj dhe që t’i rikthejë përsëri ata”.
Spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit
Mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti e deri tani si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pretendon se është duke luftuar me militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjet dhe daljet në rajon.
Gjatë sulmeve të cilat janë shndërruar në një spastrim etnik janë djegur ose shkatërruar rreth 300 fshatra nga ushtria dhe budistët radikalë, si dhe mbi 600 mijë muslimanë të Arakanit janë larguar në Bangladesh nëpërmjet rrugëve malore, detare apo të lumenjve. Ndërkohë dhjetëra mijëra të tjerë janë në kërkim të rrugëve për t’u larguar në Bangladesh./aa/tv.sh/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re