Qeveria e Bangladeshit ka kërkuar nga Mianmari ripranimin e muslimanëve të Arakanit të cilët kanë ikur dhe janë strehuar në Bangladesh si pasojë e sulmeve të ushtrisë dhe budistëve fanatikë, transmeton  (AA). .
Sipas shtypit të Bangladeshit, ministri i Jashtëm Mahmud Ali dhe një delegacion shoqërues janë takuar në kryeqytetin Daka me Sekretarin e Përgjithshëm të Presidencës së Mianmarit, U Kyaw Swe.
Gjatë takimit Mianmarit i është prezantuar një propozim-marrëveshje për rikthimin e muslimanëve të Arakanit në vendin e tyre dhe për zbatimin e rekomandimeve të Këshillit Këshillimor për Arakanin të kryesuar nga ish-Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Kofi Annan.
Ministri i Jashtëm i Bangladeshit tha në konferencë për media pas takimit se i ka rekomanduar Mianmarit t’i ripranojë muslimanët e Arakanit që gjenden në Bangladesh, ndaj të cilëve ka kryer spastrim etnik.
Nga ana tjetër, Mianmari ende nuk ka dalë me deklaratë lidhur me takimin.
Po ashtu, një kanal televiziv lokal njoftoi se ministri i Brendshëm i Bangladeshit, Asaduzzaman Han Kemal, do të vizitojë Mianmarin lidhur me muslimanët e Arakanit.
Ndryshe, mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare.
Gjatë sulmeve të fundit të ushtrisë dhe budistëve radikalë janë djegur ose shkatërruar rreth 200 fshatra.
Ndërkohë, 84 për qind nga gjithsej afër dy milionë muslimanë të Arakanit që janë përballur me sulme sistematike dhe spastrim etnik në Mianmar që nga vitet e 70-ta, janë strehuar në vendet fqinje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re