Banka Botërore ka ulur ndjeshëm parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë për këtë vit, si rrjedhojë e pasojave më të forta të pandemisë, sesa pritej këtë vit. Sipas  Rishikimit Ekonomik të vjeshtës për Europën dhe Azinë Qendrore, ekonomia shqiptare pritet të shënojë një rënie prej -8.4% në vitin 2020, nga -5% që ishte parashikimi i mëparshëm.

Konsumi privat pritet të bjerë me 8%, ndërsa eksportet e mallrave dhe shërbimeve parashikohen të tkurren me 37% këtë vit, sipas tabelave të Bankës Botërore.

Më herët, ishte Fondi Monetar Ndërkombëtar që rishikoi në ulje vlerësimin ekonomik për 2020-n, nga -5% në -7.5, ndërsa Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka mbajtur pritshmërinë prej -9% për Shqipërinë, por uli ndjeshëm parashikimin për një rimëkëmbje të shpejtë në 2021, në vetëm 4.5%, nga 12% që e kishte më parë.

Edhe Banka Botërore, në raportin e saj të fundit vlerëson se rimëkëmbja do të jetë e ngadaltë, me 5% vitin e ardhsëm dhe 3.9% në 2022.

“Duke supozuar vënien nën kontroll të pandemisë deri në fund të vitit 2020, PBB parashikohet të rimëkëmbet me 5 për qind në 2021 ndërsa eksportet, konsumi dhe investimet do të rikuperohen pjesërisht. Rindërtimi i mëtejshëm nga tërmeti duhet gjithashtu të nxisë rritjen, në përputhje me përvojën nga katastrofa të ngjashme në ekonomitë në zhvillim. Nën këtë skenar bazë të rikuperimit, ekonomia do të ishte akoma 10.7 për qind më e vogël se sa në projeksionin e Bankës Botërore para-COVID-19 për 2021. Në vitet në vijim, konsumi privat do të luajë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në rritje. Investimet private dhe publike do të kontribuojnë gjithashtu në rritje nëse qeveria vazhdon të zbatojë reformat për të përmirësuar mjedisin e biznesit dhe investon në infrastrukturë.

Në nivelin sektorial, shërbimet, të udhëhequra nga turizmi dhe ndërtimi pritet të jenë faktorët kryesorë të rritjes. Deficiti i llogarisë korente pritet të ulet në 11 për qind të PBB-së në 2021 dhe të ulet më tej në 8 pë rqind në përputhje me tendencat e para krizës, të nxitura nga përmirësimet e parashikuara në bilancin tregtar. Eksportet e shërbimeve, përfshirë turizmin dhe zgjerimi i bizneseve duhet të ngushtojnë deficitin tregtar për një periudhë afatmesme. Rritja e importit do të jetë e lartë në 12.8 për qind në 2021, teksa investimet në infrastrukturë përshpejtohen.

Flukset hyrëse të IHD-ve, përfshirë turizmin, energjinë dhe prodhimin janë parashikuar të financojnë pjesën më të madhe të deficitit të llogarisë korente. Me rritjen e aktivitetit ekonomik, të ardhurat parashikohet të rikuperohen në 27.6 për qind të PBB-së deri në 2022-2025. Borxhi publik i Shqipërisë parashikohet të bjerë gradualisht për një periudhë afatmesme, në përputhje me angazhimin e autoriteteve për forcimin e qëndrueshmërisë fiskale. Perspektiva e punësimit varet kryesisht nga rimëkëmbja e sektorëve të shërbimeve dhe shumat e investuara në rindërtim.

Ekonomitë në zhvillim do bien 4.4%

Ekonomitë e reja dhe në zhvillim të rajonit të Evropës dhe Azisë Qendrore pritet të tkurren me 4,4 për qind këtë vit, recesioni më i rëndë pas krizës botërore financiare të vitit 2008, tha banka në raport. Tkurrja ekonomike e shkaktuar nga pandemia pritet të zhysë në varfëri deri 6 milionë njerëz në të gjitha vendet e rajonit. Raporti i Përditësimit Ekonomik të Bankës Botërore për rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore përvijon sfidat më të cilat po ndeshen njerëzit dhe thekson hapat që duhet të ndërmarrin politikëbërësit për të mbrojtur jetën dhe mirëqenien e njerëzve./Monitor

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re