Banka e Shqipërisë ka lëshuar paralajmërimin e dytë në lidhje me rrezikun që posedojnë monedhat virtuale.

Në Korrik të vitit të kaluar përmes një deklarate për shtyp thoshte se nuk ka licencuar asnjë institucion financiar për përfshirjen në përdorimin e monedhave virtuale dhe për rrjedhojë investimet nuk kishin garanci.

Tashmë në një njoftim për shtyp publikuar edhe në uebsajtin e saj, institucioni më i lartë financiar i Shqipërisë ka publikuar një njoftim të Autoriteteve Mbikëqyrëse Evropiane për titujt, bankingun, sigurimet dhe fondet e pensionit.

Në njoftim thuhet se MV të tilla si Bitcoin, Ripple, Ether dhe shumë të tjera, së fundmi kanë pësuar shumë luhatje, që do të thotë se çmimet e tyre kanë pasur luhatje domethënëse çdo ditë.

Njoftimi vijon si mëposhtë:

Autoriteti Evropian i Titujve dhe i Tregjeve (ESMA), Autoriteti Evropian Bankar (EBA) dhe
Autoriteti Evropian i Sigurimeve dhe i Pensioneve prej Punësimit (EIOPA) (në vazhdim referuar
si ‘tre Autoritetet’) paralajmërojnë konsumatorët në lidhje me rreziqet e mëdha të blerjes dhe/ose
mbajtjes së të ashtuquajturave Monedha Virtuale (MV).

MV-të që ekzistojnë aktualisht janë përfaqësimi dixhital i një vlere që as nuk është e emetuar
dhe as nuk është e garantuar nga një bankë qendrore apo autoritet publik, dhe nuk e kanë
statusin ligjor të monedhës apo parasë. Ato janë tejet të rrezikshme, dhe përgjithësisht nuk janë
të mbuluara nga aktive të trupëzuara dhe nuk rregullohen nga legjislacioni i BE-së; rrjedhimisht,
ato nuk u ofrojnë konsumatorëve mbrojtje ligjore. Te tria Autoritetet shprehin shqetësimin për
faktin se një numër gjithmonë e më i madh konsumatorësh po blejnë MV, veçanërisht me
pritshmërinë se vlera e MV-ve do të vazhdojë të rritet, pa qenë të vetëdijshëm për rrezikun e
lartë se ata mund t’i humbasin paratë që kanë investuar.

MV të tilla si Bitcoin, Ripple, Ether dhe shumë të tjera, së fundmi kanë pësuar shumë luhatje, që
do të thotë se çmimet e tyre kanë pasur luhatje domethënëse çdo ditë. Për shembull, vlera e
Bitcoin-it u rrit dukshëm në vitin 2017, nga rreth €1,000 që ishte në muajin janar arriti deri në
vlerën mbi €16,000 në mes të muajit dhjetor, dhe më pas ra me pothuaj 70% të vlerës, në €5,000
në fillim të muajit shkurt. Së fundmi, ajo ka rikuperuar rreth 40% të vlerës më të ulët që shënoi,
dhe aktualisht tregtohet në rreth €7,000. Kapitalizimi total i tregut i 100 MV-ve më të mëdha
mendohet se e tejkalon barasvlerën e €330 bilionëve në nivel global sot.
Pse blerja e MV-ve është me rrezik për konsumatorët ?

Të tria Autoritetet e lartpërmendura i paralajmërojnë konsumatorët se MV-të mund të jenë
jashtëzakonisht me rrezik dhe janë zakonisht tejet spekulative. Nëse blini MV, duhet të jeni të
vetëdijshëm se ka një rrezik të madh që të humbisni një shumë të madhe, ose edhe të gjithë
shumën, e parave të investuara. Kur blini MV, ose produkte financiare që sjellin ekspozim të
drejtpërdrejtë të konsumatorëve ndaj MV-ve, jeni të ekspozuar ndaj një numri të lartë rreziqesh,
përfshirë sa më poshtë:

Luhatshmëri ekstreme dhe i ashtuquajturi rrezik i flluskës – Pjesa më e madhe e MVve
i nënshtrohen luhatjeve ekstreme të çmimit dhe kanë treguar shenja të qarta të një flluske
çmimi. Nëse vendosni të blini MV ose produkte financiare me MV, duhet të jeni të
vetëdijshëm se mund të humbisni një shumë të madhe, ose të gjithë shumën, e parave të
investuara.

Mungesa e mbrojtjes – Pavarësisht nga kërkesat e BE-së për parandalimin e pastrimit të
parave që do të hyjnë në fuqi për ofruesit e portofoleve dixhitale dhe platformat e këmbimit
valutor të MV-ve, këto të fundit mbeten të parregulluara sipas legjislacionit të BE-së. Po
ashtu, platformat ku tregtohen MV-të dhe portofolet dixhitale që përdoren për të mbajtur,
ruajtur dhe transferuar MV-të janë të parregulluara sipas legjislacionit të BE-së. Kjo do të
thotë se nëse blini ose mbani MV, nuk do të përfitoni nga garancitë dhe mbrojtja që lidhet
me shërbimet e rregulluara financiare. Për shembull, nëse një platformë për këmbimin e MVve
ose një ofrues i një portofoli dixhital dështon, del nga tregu, ose i nënshtrohet një sulmi
kibernetik, përvetësimit të fondeve apo sekuestrimit të pasurive si pasojë e veprimeve
ligjzbatuese, legjislacioni i BE-së nuk ofron ndonjë mbrojtje ligjore specifike që do të
mbulonte humbjet apo ndonjë garanci që do t’ju siguronte rifitimin e aksesit në mbajtjet tuaja
në MV. Këto rreziqe janë materializuar në raste të shumta në gjithë botën.

Mungesa e opsioneve të daljes – Nëse vendosni të blini MV, rrezikoni të mos jeni në
gjendje t’i tregtoni MV-të tuaja apo t’i këmbeni ato në monedha tradicionale, si për shembull
euro, për një periudhë të gjatë kohe. Për rrjedhojë, mund të pësoni humbje në këtë proces.

Mungesa e transparencës së çmimit – Formimi i çmimit të MV-ve shpesh nuk është
transparent. Prandaj, ekziston një rrezik i madh që të mos merrni një çmim të saktë kur blini
ose shisni MV.

Ndërprerje operacionale – Disa platforma tregtimi të MV-ve kanë pësuar probleme të rënda
operacionale, të tilla si ndërprerje të tregtimit. Gjatë këtyre ndërprerjeve, konsumatorët nuk
kanë pasur mundësi të blejnë apo të shesin MV në momentin që kanë dëshiruar dhe kanë
pësuar humbje për shkak të luhatjeve të çmimeve të MV-ve që konsumatorët kanë mbajtur
gjatë periudhës së ndërprerjes.

Informacion keqorientues – Informacioni i vendosur në dispozicion të konsumatorëve që
dëshirojnë të blejnë MV, nëse ky informacion është dhënë, është në pjesën më të madhe të
rasteve i paplotë, i vështirë për t’u kuptuar, nuk paraqet si dhe sa duhet rreziqet e MV-ve
dhe mundet, pra, të jetë keqinformues.

Papërshtatshmëria e MV-ve për pjesën më të madhe të qëllimeve, përfshirë investimet
ose planet e pensionit – Luhatshmëria e madhe e MV-ve, pasiguria për të ardhmen e tyre,
mosbesueshmëria e platformave për këmbimin e MV-ve dhe ofruesve të portofoleve dixhitale
i bën MV-të të papërshtatshme për shumicën e konsumatorëve, në veçanti për ata që kanë
qëllime afatgjata, të tilla si plane kursimi për pension.

Çfarë mund të bëni për t’u mbrojtur?

Nëse vendosni të blini MV ose produkte financiare që sjellin ekspozim të drejtpërdrejt ndaj MVve,
duhet të kuptoni plotësisht karakteristikat e tyre dhe rreziqet që ndërmerrni. Nuk duhet të
investoni para që nuk mund t’ia lejoni vetes t’i humbisni. Duhet të siguroheni që të merrni masa
sigurie të mjaftueshme dhe të përditësuara për pajisjet dhe hardware-t që përdorni për aksesimin
e MV-ve tuaja ose për blerjen, ruajtjen dhe transferimin e MV-ve. Gjithashtu, duhet të jeni të
vetëdijshëm se blerja e MV-ve prej një firme të rregulluar për shërbime financiare nuk i zbut
rreziqet e përmendura më lart.

Informacion mbështetës

Ky njoftim paralajmërues mbështetet te neni 9(3) i Rregulloreve themeluese të të tre Autoriteteve
dhe vjen në vijim të publikimit të dy deklaratave nga ESMA për Ofrimin Fillestar të Monedhave1 2
në nëntor 2017 dhe në një Paralajmërim më herët3 për konsumatorët dhe dy Opinione4 5 për MVtë
të publikuara nga EBA në dhjetor 2013, korrik 2014 dhe gusht 2016.

MV-të janë të formateve të ndryshme. MV-ja e parë ishte Bitcoin që u lançua në vitin 2009. Që
prej asaj kohe, kanë dalë MV të tjera si Ripple, Ether ose Litecoin. Pjesa më e madhe e tyre
mbështeten te teknologjia e regjistrit të decentralizuar (distributed ledger technology), që njihet
me emrin ‘Blockchain’

Ky njoftim paralajmërues nuk merr qëndrim mbi këtë teknologji dhe as mbi zbatime të tjera të mundshme të tij.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re