Bankat e nivelit të dytë raportojnë për një shtrëngim të kushteve për dhënien e kredive në të gjithë zinxhirët e ndërmarrjeve private, që nga bizneset e vogla edhe te kompanitë e mëdha. Shtrëngimi i kushteve raportohet si te madhësia e kredisë që aprovohet, e cila është më e ulët se zakonisht, ashtu edhe te refuzimet që iu janë bërë bizneseve.

Në bazë të Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues, të botuar nga Banka e Shqipërisë, risku sa i takon aftësisë paguese të bizneseve nga situata e pandemisë së Covid-19 konsiderohet i lartë, çka ka rritur vigjilencën e bankave, por po ashtu ka ulur edhe kërkesën për huamarrje.

“Sipas gjykimit të bankave, kushtet dhe termat e kreditimit u ndikuan negativisht nga perceptimi për rrezik të shtuar, nxitur prej situatës së paprecedentë të shkaktuar prej Covid-19.”

Kredia është shtrënguar edhe për individët, si në dhënien e kredive për blerjen e banesave, ashtu edhe te kreditë konsumatore. Kërkesa dhe në këtë kategori për marrjen e financimit ka qenë e ulët në 3 muajt e parë të vitit, ndërsa pritet një reduktim më i ndjeshëm i kërkesës për tremujorin e dytë të vitit. Sipas këtyre të dhënave pritet që aktiviteti i kreditimit të ngadalësohet për pjesën e parë të vitit, pas një rritjeje në nivelet 4.8% që rezultoi në fund të vitit 2019.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re