Ditën e sotme banorët e Astirit kanë paditur në SPAK, (Prokurorinë e Posaçme) disa prej institucioneve më të rëndësishme në vend, pasi sipas tyre janë përfshirë në “masakrën” urbane të Unazës së Madhe.

Banorët kanë bërë kallëzim penal edhe ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Bashkinë e Tiranës, ARRSH, pasi theksojnë se banesat e tyre janë shembur padrejtësisht dhe se nuk mund të pretendohet hapja e negociatave, sa kohë që nuk respektohet e drejta e pronës. Ata deklarojnë se në 2 mars do të marrin pjesë në tubimin e organizuar nga Presidenti, Ilir Meta.

“Unë do të depozitoj sot ndaj Ministrisë së Infrastrukturës, Bashkisë së Tiranës, ARRSH-së, ndaj kompanisë që ka bërë projektin, ku preken 600 banesa, kjo është një masakër urbane që bëhet. Mua më kanë hyrë në banesë dhe më kanë dhunuar me jelekun e ARRSH-së që më vendos kryqin e kuq në banesë, ndërkohë që unë jam shpronësuar tërësisht për pronën time.

Duhet të marrë vëmendjen e duhur çdo lot i nënave që janë derdhur në Unazë të Re. Nuk i harrojmë dot lotët e fëmijëve të familjes Billa, që morën çantat dhe u dhunuan nga punonjësit e Bashkisë së Erion Veliajt.

Nuk iu ka trokitur asnjë njeri në derë që t’iu japë një zgjidhje, u lanë me javë të tjera jashtë. As banorëve të lotit të dytë të Unazës së Madhe nuk iu është dhënë asnjë zgjidhje, jemi në 2020-tën, si mund të pretendosh ti që të bëhesh pjesë e BE-së, kur nxjerr qytetarët e tu në rrugë.

Si mund të vijë një investitor i huaj në Shqipëri? Kur ne të gjithëve na merret prona, dhe nxirremi në rrugë”, shprehet banorja e Astirit për Fax News.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re