Skip to content

Banorët e Çërravës në Pogradec kundërshtojnë projektin për panele fotovoltaike: Nuk do t’i ndalim protestat


Një protestë është zhvilluar këtë të diel në fshatin Çërravë të bashkisë së Pogradecit, ku rreth 40 banorë dhe blegtorë të zonës kanë kundërshtuar një projekt-vendim të këshillit bashkiak që parashikon dhënien me qira të një sipërfaqeje të madhe toke për shfrytëzimin e paneleve diellore.

Banorët theksuan se gjysma e fshatit merret me blegtori dhe se toka në fjalë është e vetmja kullotë që ata kanë në dispozicion.

Ata e cilësuan këtë vendim si një cënim të drejtpërdrejtë të jetesës së tyre dhe paralajmëruan përshkallëzim të protestave nëse projekti nuk ndalet.

Në mbështetje të tyre ishte edhe këshilltari i pavarur bashkiak Arbër Male, i cili u bëri thirrje kolegëve të tij të votojnë kundër. Ai deklaroi se vendimmarrja është e paracaktuar dhe se edhe kompania përfitues e projektit është e përcaktuar paraprakisht. Këshilli bashkiak i Pogradecit pritet të mblidhet të enjten për të vendosur nëse do të japë me qira 35.5 hektarë tokë për vendosjen e paneleve fotovoltaike.