Protestuesit vijojnë të qëndrojnë para Drejtorisë së  Policisë së Tiranës në mbështetje të 23 të ndaluarve nga Kukësi, për protestën e dhunshme të së shtunës në rrugën e Kombit.

 

Ata u mbështetën dhe nga deputetë të opozitës, ndërsa për disa minuta bllokuan dhe qarkullimin e automjeteve në të dy krahët e rrugës.

 

Kerkesa e tyre e vetme është ajo e lirimit të të afërmve të tyre, të cilët pa të drejtë u morën nga shtëpitë në Kukës dhe u sollën në Tiranë.

 

Prokuroria ka lëshuar 36 urdhërarreste për protestën e së shtunës, e cila përfundoi me disa të lënduar dhe djegien e sporteleve të koncensionarit. Të ndaluarit pritet të dërgohen sërish në Kukës, ku do të njihen me masat e sigurisë për akuzat e kundërshtimit me dhunë të punonjësve të policisë dhe shkatërrimin e pronës private.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re