Banorët e një periferie të Parisit thanë se ata po përdoren si mjet propagandistik për projektligjin e “separatizmit” në parlamentin francez.

Duke folur për AA, banorët që jetojnë në Trappes thanë se janë të shqetësuar nga pretendimet e mediave franceze se ishin “separatistë”.

Një nxënës nga Shkolla e Mesme La Plaine-de-Neauphle, i cili nuk deshi të identifikohej, tha se pretendimet e profesorit të filozofisë në shkollë, Didier Lemaire, se ai merr kërcënime nga nxënësit muslimanë, nuk pasqyrojnë të vërtetën.

“Këtu nuk ka jetë klanore siç përmendet. Të krishterët dhe muslimanët jetojnë së bashku”, theksoi nxënësi, duke shtuar se kanë frikë se këto pretendime do të ndikojnë në arsimimin e tyre.

“Ne kemi frikë se mos refuzohemi në aplikimet e universitetit vetëm sepse jemi nga Trappes”, shtoi nxënësi.

Zerdy Zoulika, e cila posedon një restorant në Trappes për shtatë vjet, gjithashtu pati ankesa për mediat dhe politikanët francezë, të cilët rajonin e tyre e bëjnë një mjet propagande.

Zoulika shtroi pyetjen se pse mësuesi francez hodhi një gënjeshtër të tillë, me çka shqetësoi banorët që jetojnë në Trappes.

“Ne jetojmë këtu në përputhje me vlerat globale si të gjithë të tjerët. Sinqerisht, unë nuk mund të shoh një problem në këtë rajon siç përmendet”.

Ajo theksoi se ata duan që media dhe politikanët francezë të lënë të qetë rajonin Trappes.

“Ne jetojmë në një periferi kaq të zakonshme të Francës. Ne të gjithë jemi shtetas francezë. Respekti është ai që lejon njerëzit e një vendi të jetojnë së bashku. Stop diskriminimit”, tha ajo.

Zoulika theksoi se budistët, ateistët, muslimanët dhe të krishterët jetojnë së bashku në Trappes me respekt për njëri-tjetrin.

Verstraeten Sylvie, e cila ka jetuar në Trappes për 32 vjet së bashku me fëmijët dhe nipërit e mbesat e saj, gjithashtu nuk ishte dakord me pretendimet e mësimdhënësit.

“Problemet këtu nuk ndryshojnë nga ato të qyteteve të tjera në Francë”, tha ajo për AA.

Sylvie tha se jo të gjithë muslimanët duhet të trajtohen si terroristë vetëm sepse disa veta që jetuan në Trappes shkuan në Siri dhe u bashkuan me organizatën terroriste DEASH.

“Disa politikanë thonë ‘Trappes është plot besimtarë arabë’. Po, është e vërtetë. Por gjithashtu është e vërtetë se ka njerëz latino-francezë që shkojnë në kishë këtu. Ekziston edhe sinagoga. Njerëzit shkojnë edhe atje”, tha Sylvie.

Ndërkohë, kryetari i Komunës Trappes, Ali Rabeh, tha se ata kanë marrë kërcënime të shumta pas akuzave nga Lemaire.

Presidenti francez Emmanuel Macron prezantoi projektligjin vitin e kaluar për të luftuar atë që ai e quajti “separatizëm islam”.

Ky projektligj po kritikohet sepse synon komunitetin musliman dhe vendos kufizime në pothuajse çdo aspekt të jetës së tyre.

Projektligji parashikon ndërhyrjen në xhami dhe shoqatat përgjegjëse për administrimin e tyre, si dhe kontrollimin e financave të shoqatave dhe organizatave joqeveritare që u përkasin muslimanëve.

Ai gjithashtu kufizon zgjedhjet arsimore të komunitetit musliman, duke parandaluar familjet që t’u japin fëmijëve arsim në shtëpi.

Projektligji gjithashtu ndalon pacientët të zgjedhin mjekë në bazë të gjinisë për arsye fetare ose të tjera dhe e bën të detyrueshëm “arsimin e sekularizmit” për të gjithë zyrtarët publikë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re