Në kuadër të planit të rindërtimit bashkia Vorë ka marrë vendimin për të shembur 12 pallate dhe rreth 70 objekte, të cilat janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

Mirëpo, ky vendim nuk është pritur mirë nga banorët.

Abc News raporton se banorët pretendojnë që disa prej këtyre objekteve nuk janë shpallur të pabanueshme.

Për këtë arsye ata kanë protestuar edhe ditën e djeshme. Banorët kërkojnë të takohen me kryetarin në detyrë të bashkisë dhe të marrin një garanci prej tij, ti sqarojë në lidhje me mënyrën se si do të funksionojë ky plan rindërtimi.

Ata kërkojnë që çmimi i kompensimit të objekteve të tyre të jetë i njëjti me vlerën e tregut.

Ditën e djeshme ka pasur edhe tensione gjatë protestës, pasi banorët kanë tentuar të futen në ambientet e bashkisë në mënyrë që të takohen me kryetarin, por janë penguar nga policia.

Ndërkaq, sot banorët do të mblidhen sërish dhe mësohet se do të tentojnë që të mos lënë kryetari Hekuran Brahimaj që të futet në zyrën e tij.