Njerëzit që jetojnë brenda zonës së deeskalimit të formuar në dhe rreth provincës së Idlibit në Siri i kanë dhënë mirëseardhje të ngrohtë trupave ushtarake turke të vendosura në këtë zonë për të mbështetur armëpushimin, shkruajnë mediet e huaja.
Përderisa trupat turke u vendosën në zonë, banorët e qarkut Daret Izze, zonë e deeskalimit e krijuar në rajonin rural perëndimor të Halepit, brohoritën për Turqinë dhe Presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan.
Duke valëvitur flamuj të asocuar me Ushtrinë e Lirë Siriane (ULS), banorët e vendit brohorisnin slogane, si “Siria dhe Turqia janë miq” dhe “Të gjithë e duam Erdoğanin”.
“Jemi të lumtur që shohim vendosjen e vëllezërve tanë këtu. Ata janë të mirëpritur”, tha një banor vendas për AA. “Erdogan përfaqëson njerëzimin. Mallkuar qoftë PKK”, tha ai.
Shumë banorë vendas u mblodhën pas namazit të xhumasë për të shprehur mbështetjen e tyre për trupat turke.
“Faleminderit për mbrojtjen e popullit sirian. Mirë se vini në vendin tuaj, bij të Mehmetit, Çliruesit”, thanë ata.
Në përputhje me marrëveshjet e arritura gjatë bisedimeve të mëparshme të paqes në Astana, trupat turke kanë për detyrë të mbikëqyrin armëpushimin dhe të krijojnë një sërë pikash vëzhgimi përgjatë vijës Idlib-Afrin.
Ndryshe, autokolonat ushtarake turke hynë në veri të Idlibit pasi u dërguan nga qarku Reyhanli në provincën juglindore Hatay të Turqisë.
Trupat turke u vendosën fillimisht pranë Afrinit, i cili ndodhet pranë kufirit turk dhe që momentalisht mbahet nën kontroll nga organizata terroriste PKK/PYD.
Vendosjet e trupave turke janë duke u zhvilluar në përputhje me marrëveshjet e mëparshme të arritura në Astana nga tre shtetet garantuese, Turqia, Rusia dhe Irani.
Gjatë vendosjes, e cila pritet të zgjerohet gradualisht në jug, trupat turke shpresojnë të krijojnë më shumë se dhjetë pika të vëzhgimit në Idlib.
Ndërsa ushtria turke është ngarkuar me krijimin e pikave të vëzhgimit në qendër të Idlibit, Rusia ka detyrën ta bëjë të njëjtën gjë në zonat përreth.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re