Ukrainasit pranë centralit bërthamor të Zaporizhias, më i madhi në Evropë, po përgatiten për një shkrirje të mundshme pas paralajmërimeve për një sulm rus në objekt. Gazetarja e Zërit të Amerikës në Varshavë Lesia Bakalets ka qenë në kontakt me banorët brenda Ukrainës.

Qyteti i Nikopolit është rreth 20 kilometra përtej lumit nga centrali bërthamor Zaporizhia. Qyteti ka rreth 50 mijë banorë të mbetur që nga fillimi i luftës. Ata janë mësuar të jetojnë pranë një rreziku të mundshëm bërthamor.

 

“Menjëherë pasi Rusia pushtoi centralin bërthamor të Zaporizhias, u zhvilluan fushata informuese nga autoritetet tona lokale për pasojat e mundshme të një aksidenti të tillë. Edhe atëherë, mund të merrje pilula jodi në spitalet e Nikopolit për t’u mbrojtur nga efektet e ekspozimit ndaj rrezatimit”, thotë Mykyta Sajenko, gazetar në Nikopol.

 

Ai thotë se vendasit kanë qenë të qetë. Por pas paralajmërimeve nga shefi i inteligjencës së Ukrainës, i cili kohët e fundit tha se rusët kanë miratuar planet për të minuar uzinën dhe për të provokuar një shkrirje, ata janë bërë gati për evakuim të mundshëm.

 

“Familja ime po mbledh të gjitha gjërat e nevojshme – dokumentet, paratë dhe gjërat thelbësore – për t’u larguar në rast urgjence”.

 

Shkencëtarët që monitorojnë situatën për një katastrofë të mundshme thonë se qytetet Nikopol dhe Enerhodar – pranë uzinës – janë në rrezikun më të madh të ndotjes radioaktive.

 

“Zona e evakuimit, nuk do të shkojë përtej rrezes prej 30 kilometrash, ndoshta 20, ndoshta edhe 10” thotë Mark Zheleznyak në Universitetin Fukushima.

 

Por autoritetet ukrainase presin që ajo të jetë më e madhe.

 

“Ne kemi supozuar skenarin më të keq: zona e ndotjes do të jetë më e madhe se 50 kilometra. Kjo do të thotë se do të preken katër rajone” , thotë Yuri Vlasenko, zëvendës ministër i energjisë.

 

Këtu do të përfshihej Zaporizhia, me gati 800 mijë qytetarë, 50 kilometra larg stacionit.

 

Victor Gokun, një banor në Zaporizhia, i cili punon në industrinë farmaceutike, thotë se në farmaci nuk ka më pilula jodi. Ato ndihmojnë në mbrojtjen e gjëndrës tiroide në rast të ekspozimit ndaj rrezatimit.

 

“Pilulat u zhdukën që në fillim kur ky stacion u pushtua. Pastaj njerëzit u përpoqën të blinin sa më shumë që të ishte e mundur”.

 

Viktori ka dy fëmijë dhe tashmë është i përgatitur për katastrofë.

 

“Ne kemi furnizim me ujë dhe ushqim për një muaj. Makinat tona janë gjithmonë të mbushura me një serbatorë të plotë”.

 

Më 29 qershor, Ukraina kreu stërvitje të reagimit ndaj katastrofave bërthamore në rajonet përreth.

 

Përveç rrezikut të drejtpërdrejtë për vendasit, ekspertët paralajmërojnë se një shkrirje do të ishte një kërcënim për bujqësinë dhe lumin kryesor Dnipro të Ukrainës.

 

“Materiali radioaktiv mund të kontaminojë tokën bujqësore dhe gjithashtu mund të rrisë perceptimin se të korrat nuk janë të sigurta”, thotë Edwin Lyman me Unionin e Shkencëtarëve të Shqetësuar.

 

“Mund të ndodhë që brigjet e lumit Dnipro të ndoten, me përmbajtje radionuklide në rrugën për në Detin e Zi dhe i gjithë bregu i tij do të ndotej” , thotë Olena Pareniuk, studiuese e sigurisë bërthamore.

 

Centrali bërthamor i Zaporizhias është më i madhi në Evropë dhe është pushtuar nga Rusia që nga marsi i kaluar./voa

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re