Ish-kryeministri Sali Berisha, nga ballkoni i banesës së tij, ka akuzuar kryeministrin Rama si njeri barbar që çon në parlament ligjin për shkatërrimin e pasurive të vendit.

Berisha shprehet se Rama po bën propagandë banale për të mbrojtur vjedhjet, aktet, skandalet e tij dhe të ministrave të tij.

“Të dashur qytetarë dhe qytetare!

Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, një përshëndetje të përzemërt ju, një përshëndetje të përzemërt popullit të 20 shkurtit, popullit të fitores.

Përshëndes oratorët që trajtuan sonte një problem që dëshmon dallimin e madh midis qytetarëve dhe barbarëve, midis qytetarëve që kanë përgjegjësi për vete, për fëmijët, për gjeneratat që vijnë dhe barbarëve që vjedhja i ka zhveshur nga çdo moral dhe vërsulen tani me tonelatat e parave të drogës, për të shkatërruar trashëgiminë shekullore mijëravjeçare. Për të shkatërruar trashëgiminë që brez pas brezi na u le ne, dhe detyra jonë është ta ruajmë, ta mbrojmë dhe tua lëmë brezave që vijnë.

Por barbari, i zhveshur nga çdo moral, i zhveshur nga çdo interes tjetër përveç drogës dhe krimit, çon në parlament ligjin për shkatërrimin e tyre, pasurive përrallore të këtij vendi.

Atyre pasurive që e bëjnë Shqipërinë një prej vendeve më të pasura të botës.

Miqtë e mi, kjo betejë në çdo lloj prizmi dhe aspekti është shpëtimtare.

20 shkurti është dita e qytetarëve!

Propaganda banale e Edi Ramës për të mbrojtur vjedhjet, aktet, skandalet e tij dhe të ministrave të tij, u bie nga mëngjesi deri në darkë borive, altoparlantëve se ne jemi njëlloj.

Nuk ka mashtrim më të madh se ky.

E vërteta është se ne jemi dy botë.

Njëra është bota e zezë e vjedhjeve, e krimit, e drogës, e vrasjeve. Është bota e zezë e skandaleve, e dështimeve, e dhunimit të pluralizmit, parlamentit, arrestimit të liderit të opozitës, e përzënies së shqiptarëve nga Shqipëria.

Kurse dallimi i kësaj bote me botën tjetër që mbron vlerat, parimet e drejtësisë, e kohezionit, e interesit kombëtar, e lirive dhe dinjitetit njerëzor, është dallim si nata me ditën”, tha Berisha.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re