Kryebashkiakja e Barcelonës, Ada Colau njoftoi të mërkurën vonë se qyteti i saj ka ndërprerë të gjitha marrëdhëniet institucionale me Izraelin për shkak të “shkeljeve të përsëritura të të drejtave të njeriut të popullatës palestineze dhe mosrespektimit të rezolutave të OKB-së”.

Kryetarja e ekstremit të majtë përmes një postimi në Instagram, theksoi se i kishte thënë kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se qyteti “nuk do të mbajë marrëdhënie institucionale me qeverinë e tij”.

Ndërprerja e marrëdhënieve përfshin prishjen e marrëveshjes së binjakëzimit mes Barcelonës dhe Tel Avivit, e cila u nënshkrua në vitin 1998.

Colau tha se vendimi për ndërprerjen e raporteve me qeverinë izraelite ka ardhur me kërkesën e më shumë se 100 subjekteve dhe mijëra banorëve të Barcelonës.

Kryebashkiakja e Barcelonës shtoi se ndërsa kryeqyteti katalonjas nuk do të merret më me shtetin izraelit, ai do të vazhdojë të bashkëpunojë me entitetet palestineze dhe izraelite “që punojnë për paqen dhe janë kundër aparteidit”.

Federata e Komuniteteve Hebraike në Spanjë (FCJE) tha se “nuk e pranon” vendimin e Barcelonës, për të cilin pretendon se është marrë “pa debat” dhe nuk përfaqëson qytetin dhe qytetarët e tij.

“Izraeli është vendi i vetëm hebre në botë. Prandaj, sipas nesh, ky vendim nuk ka të bëjë fare me politikën, të drejtat e njeriut apo paqen. Ajo ka një emër dhe quhet ‘antisemitizëm i sofistikuar’”, thuhet në deklaratën e FCJE.

Koalicioni Prou ​​Complicitat amb Israel (Dhënia fund të bashkëfajësisë me Izraelin) filloi një fushatë në janar duke i dërguar letër të hapur kryebashkiakes së Barcelonës, në të cilën kërkonin nga ajo të ndërpresë marrëveshjen me Tel Avivin.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re