Ish-deputeti demokrat me profesion mjek Bardh Spahia deklaron se testimi masiv për koronavirusin i qytetarëve do të ishte e vetmja mënyrë për të shkëputur zinxhirin e infektimit. Duke iu referuar situatës në Shkodër dhe rritjes së numrit të personave të prekur nga COVID-19, Spahia tha në një lidhje me News24 që kjo është një pasqyrë e asaj që po ndodh në të gjithë Shqipërinë duke e theksuar dhe njëherë nevojën e testimeve masive.

“Ashtu siç pritej, zhvillimet në Shkodër janë një farë pasqyre e asaj që ka kohë që ndodh në të gjithë Shqipërinë. Problemi kryesor i mbërritjes së kësaj situate në Shkodër është mungesa e testimeve, e shtimit të numrit të testimeve. Ka kohë që ne e ngremë me forcë mungesën e testimeve, ka kohë që themi për hyrjen e qytetarëve shqiptarë të ardhur nga zona të kuqe të Italisë. Dhe sigurisht që situata do të vinte këtu. E pafalshme, edhe sot e kësaj dite strukturat e shtetit nuk janë në lartësinë e duhur të situatës”, deklaroi Spahia.

Sipas tij, shumica absolutet e qytetarëve shkodranë i kanë respektuar udhëzimet dhe se ka gjasa që numri i personave të infektuar është më shumë se 44.

“Strukturat përgjegjëse duhet të rrisnin numrin e testimeve. Të gjitha gjasat të bëjnë të mendosh se janë disa herë më shumë se aq. Nuk mund të flitet për të dhëna të sakta pa u rritur numri i testimeve.
Pikërisht se mund të jenë asimptomatikë duhej t’i bashkëngjitej testimi masiv. Ky testim do bënte stopimin e zinxhirit, distancimin e personave të prekur qoftë dhe pa simptoma dhe do siguronte dhe trajtimin e tyre në mënyrë adekuate në simptomat e para. Gabimi është bërë që në fillim, humbja e kohës e pafalshme”, deklaroi ai.

Sa iu përket shqiptarëve të mbetur në kufi ai tha se ata duhet të kthehen në vend pasi po rrezikojnë jetën dhe mund të futen 14 ditë në karantinë qoftë edhe në një vend të caktuar nga strukturat.

“Nuk mund të rrinë ata qytetarë e të rrezikojnë jetën. Ata duhet të kthehen në shtëpitë e tyre. Ne kemi për detyrë t’u ofrojmë shërbimin sipas masave të marra. Mund të karantinoheshin për 14 ditë në një vend e më pas të shkonin në shtëpitë e tyre”, tha Bardhi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re