Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka zhvilluar një takim me Drejtorin për Europën të Institutit Republikan Amerikan, Paul McCarthy.

E pranishme në takim ka qenë edhe deputetja demokrate Jorida Tabaku.

Përmes një postimi në Facebook, Bardhi shprehet se gjatë takimit ndanë qëndrime të përbashkëta për forcimin e opozitës dhe luftën pa kompromis ndaj keqqeversjes së kryeministrit Edi Rama.

Postimi i plotë i Gazment Bardhit:

🇦🇱🤝🇺🇸 Ishte kënaqësi takimi me Drejtorin për Europën pranë IRI-it, z. Paul McCarthy, me të cilin sëbashku me kolegën Jorida Tabaku ndamë qëndrimin e përbashkët se është thelbësore për demokracinë në vend forcimi i opozitës, përmes proceseve përbashkuese dhe jo ndarëse.

Sfidat që po kalon PD nuk duhet ti mbivendosen misionit të çdo opozitari, për luftë pa kompromis ndaj keqqeverisjes së Edi Ramës. Rruga e vetme që ka PD për të ecur përpara është duke mos qenë peng i kultit të individit, por duke u bashkuar rreth vlerave, qëllimeve të përbashkëta, interesit të anëtarëve të PD dhe qytetarëve shqiptarë, që duan që gjerat të ndryshojnë për mirë.

Nevoja imediate që ka Shqipëria për ndryshim na dikton një rrugë: Të shohim vetëm drejt të ardhmes dhe mos përsërisim gabimet e të shkuarës! Partneriteti i Shqipërisë dhe PD me SHBA është jetik për të ardhmen e vendit dhe forcimin e demokracisë në vend.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re