Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar pas deklaratës së kryeministrin Rama mbi zhvillimet në seancën plenare të së hënës. Bardhi akuzon Ramën se ka mbushur Kuvendin me përfaqësues të krimit dhe hajdutë.

 

Ai shton se kryeministri u soll si një frikacak i kapur në flagrancë, duke kërkuar mbrojtje nga Garda e Republikës, për të shmangur përballjen me aferat korruptive të qeverisë së tij.

 

“Edi Rama futi në politikë e parlament përfaqësues të krimit të organizuar, trafikantë, vrasës e hajdutë, duke e bërë Shqipërinë të vetmin vend në Europë që kishte nevojë për miratimin e një ligji për dekriminalizimin e politikës. Sot si një frikacak i kapur në flagrancë me aferat korruptive miliona euro që hetohen e gjykohen çdo ditë nga drejtësia, kishte futur në sallën e Kuvendit 65 gardistë, për ta mbrojtur ndërsa miratonte si manikin buxhetin që financon vetëm PPP korruptive dhe projektet që injektojnë më shumë para për tenderat që kontrollohen nga krimi i organizuar”, tha ai.

 

Më herët, kryeministri Rama akuzoi opozitën se solli në kuvend gjuhën dhe sjelljen e rrugës dhe la në rrugë politikën.

 

Deputetë të opozitës ndezën tymuese dhe grumbulluan ulëset duke bllokuar zhvillimet e seancës plenare mbi buxhetin e vitit të ardhshëm.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re