Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi akuzoi kryeministrin Edi Rama se i ka gënjyer dhe braktisur qytetarët. Sipas tij, çdo ditë kreu i qeverisë kapet në flagrancë duke mashtruar shqiptarët.
Sipas Bardhit, “më 17 mars Edi Rama u premtoi shqiptarëve se ‘NUK DO TË VIJË FUNDI I MUAJIT PA PAGËN E GJITHKUJT NDËR JU QË QËNDRON NË SHTËPI SI PASOJË E MBYLLJES SË BIZNESIT KU PUNON!’, por e kundërta ka ndodhur.”
Ai rendit gënjeshtrat e kreut të qeverisë në një postim në Facebook.
Premtoi se gjithkush do të kenë pagesën në fund të muajit mars për bizneset e mbyllura, por marsi kaloi dhe ai nuk dha asnjë qindarkë.
Premtoi se askush nuk do të mbetet pa ndihmë financiare, por la jashtë paketës së ndihmës mijëra biznese dhe qindra mijë kryefamiljarë dhe qytetarë në nevojë.
Premtoi ndihmë me ushqime e ilaçe për të gjitha familjet në nevojë dhe pensionistët, por ka braktisur mijëra familje e pensionistë, që janë në kufijtë e mbijetesës.”
Sekretari i PD-së vuri në dukje faktin se ekonomia e familjeve të papuna dhe ekonomia e vendit nuk mbahet në këmbë me mashtrime dhe propagandë. “Shqiptarët meritojnë një paketë reale të ndihmës financiare, që nuk përjashton askënd.”, përfundoi ai.
