Në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, Vullnet Sinaj ka deklaruar se nuk ka përfituar asnjë para nga buxheti i shtetit.
Deputeti socialist deklaroi se që kur ka marrë mandatin e deputetit nuk e ka pasur ndonjëherë në mendje përfitimin, ndërsa shtoi se ka dalë nga kompetencat e bizneseve të tij, pa u bërë ligjvënës.
“Me të gjitha ato që unë shpreha herën e parë, pra që kur unë kam marrë mandatin e deputetit se kam pasur ndonjëherë në mendje të përfitoja. Këtë e vërtetoni me pagën, rreth 200 milionë të vjetra janë për njerëz në nevojë. Nga një biznesmen nuk ka qëllim vetëm fitimi. Nuk më shkonte poshtë paga kur shihja njerëz në nevojë. Me këtë vërtetoj që nuk kam pasur asnjë qëllim dhe kam marrë të gjitha masat pa u bërë deputet. Unë kam dalë jashtë kompetencave në bizneset e mia, ia kam deleguar njeriut të besuar. I mora masat, pastaj mora mandatin e deputetit. Edhe pse zoti Bardhi tha të pavërtetën, më duket sikur e ka ves thënien e të pavërteta. Tha që vetëm në 4 kompani kam person të besuar, në 5 jo. Unë i kam te të gjitha kompanitë. Kjo zoti Bardhi është një gënjeshtër e juaja që na e keni bërë këtu. Ju edhe herën e fundit në Parlament, u munduat të ndryshonit datën. E shikoj që ke një tendencë për të gënjyer popullin, por unë e kam për detyrë mos të të lejoj.
Në darkë nuk kam festuar ndonjëherë vitin e ri, pa u siguruar që pakot në nevojë kanë shkuar. Kam ndihmuar dhe blegtorët në malet më të larta të Shqipërisë. U bëra deputet t’i shërbeja zonës time. E them dhe njehere nuk kam perfituar asnje para nga buxheti i shtetit”, tha Sinaj.
Diskutimet Bardhi-Sinaj
Sinaj: Ca ke bërë në jetën tënde ndonjëherë për ti dhënë këtij vendi. Ti e ke filluar punën si anëtar i bordit të hipotekës dhe e ke vazhduar me ministër. Unë kam punuar gjithë kohën dhe i kam dhënë taksa këtij shteti. Kam dy mijë familje që punojnë te biznesit im. Kam dhënë 8 milionë euro taksa, ndërsa ti vetëm i ke marrë. Të mungon orali të më akuzosh mua. Je përfituesi, dieta e tua mund të jenë më të mëdha se ato që më akuzon mua.
Bardhi: Nuk të lejoj unë të vish të gënjesh. Është i vetmi deputet që është përmend nga Transparence International se ka miratuar ligj për të ulur taksat për biznesin e tij së bashku me tre oligarkë të tjerë, për të rënduar dhe falimentuar të gjitha bizneset e vogla që kishin ushqime. Zotëria është ai që blerjen e votës e shet si donacion. Me votën në kuvend ka përfituar ulje të tatimeve për llogari të rritjes së biznesit. Ka qenë biznes me faliment dhe kur ka ardhur deputet ka shkuar me fitime që s’dihet ku përfundojnë.