Gazment Bardhi ka shkarkuar deputetin Arbi Agalliun nga detyra e tij si sekretar në grupin parlamentar të PD si dhe deputeten Oriola Pampuri si zëdhënëse. Në arsyen e dhënë, Bardhi ka përmendur faktin që deputetët mbështetën mos-dërgimin e çështjes së mandatit të Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese.

“Amnistia dhe mbështetja që Arbi Agalliu dhe Orjola Pampuri i bënë Olta Xhaçkës, i bën automatikisht të shkarkuar nga pozicionet që mbajnë në grup. Është e papranueshme që po duan ta varrosin atë çështje njëlloj si Edi Rama. Kam patur respekt, por kjo është vijë e kuqe, janë bërë bashkë me Edi Ramën për ti dhënë pandëshkueshmëri Olta Xhaçkës. E papranueshme” shprehet Bardhi.
Pas shkarkimit, ka pasur edhe një reagim nga deputeti Agalliu i cili akuzoi Bardhin dhe grupin e Rithemelimin për pazare politike me qeverinë për amnistimin e zyrtarëve të korruptuar. Ndërsa shkruan se nuk është rastësi fakti që në të njëjtën ditë kur Bardhi kërkoi rikthimin e Berishës në PD, u amnistua edhe Xhaçka.

Reagimi i plotë i Agalliut:
Partia Demokratike nuk është edhe nuk do të bëhet pjesë e pazarit të Berishës dhe Ramës. Lojërat e ulëta të tyre janë thjesht për t’i hedhur hi syve qytetarëve. Pazari i tyre është i qartë, luftë kundër SPAK-ut dhe amnisti për të korruptuarit.
S’ka asnjë koicidencë. Në ditën që kryetari i grupit të Linditës (të cilës ju amnistua edhe vila që e denonconte në çdo seancë) kërkon kthimin e Berishës në PD, amnistohet Olta Xhaçka.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re