Teksa Partia Demokratike zyrtarizon emërimin e Gazmend Bardhit si kreun e Grupit të saj Parlamentar, ish drejtuesi i kësaj force politike, Sali Berisha në konferencën e përjavshme me gazetarët ka komentuar këtë vendim të fundit nga selia blu.

 

Ai thotë se nuk e njeh këtë vendim dhe asnjë strukturë tjetër paralele të PD. Në të njëjtën kohë, ai bën thirrje për diskutim, ndërsa shton se fakte të kryera nuk pranon.

 

“Nuk njohim asnjë strukturë paralele të Partisë Demokratike. I ftoj të ulen dhe të flasim. Faktet të kryera nga askush nuk njohin. Ka rregulla dhe statut”, tha Berisha.

 

Gazmend Bardhi u emërua kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, pas dorëheqjes së Enkelejd Alibeajt nga ky post.

 

Vendimi është marrë nga Grupi Parlamentar i kësaj force politike gjatë mbledhjes së kësaj të premteje, që kishte në fokus ristrukturimin e PD pas dorëheqjes së kreut të komanduar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re