Bardhyl Reso, një ndër anëtarët e parë të Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike i ftuar në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga, tregoi më tepër nga fillimet e krijimit të Partisë Demokratike. Reso shprehet se Berisha në atë kohë erdhi në krye të PD me bekimin e amerikanëve, të cilët janë ata që po e përzënë nga PD sot.

“Kur morëm godinën në rrugën “Fortuzi”, Berisha mori një dhomë në katin e parë dhe e quajti dega e Tiranës.

Dega e Tiranës ishte dega kryesore se ishin njerëzit më me influencë në të gjitha fushat, intelektualët më të shquar. Kjo i dha atij shumë njohje dhe shumë hapësirë për të krijuar lidhjet e tij dhe për të pranuar dhe rekrutuar njerëzit e nevojshëm që duheshin më pas. Në këtë aspekt, ngaqë puna po shtohej dhe mendohej që nga Komisioni Nismëtar të kalohej në një zgjedhje më të madhe, për të krijuar një komitet drejtues të PD-së. Që më parë kishte filluar tendenca e ndarjes së grupimeve.

Në një grupim ishte Berisha me veriorët, me ta ishte dhe Arben Imami. Pjesa tjetër ishin Aleksandër Meksi, Gramoz Pashko, Genc Ruli.

Ajo që ia rriti autoritetin Berishës për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike ka qenë pas vizitës që këta bënë në SHBA së bashku me Gramoz Pashkon, sepse në SHBA kur shkuan të dy të ftuar, ishin si dy persona që ishin dukur më aktivët gjatë periudhës nga themelimi i PD-së, deri në fund të janarit të vitit 1991. Ne takimin me Departamentin e Shtetit, me Elez Biberaj, dhe me përfaqësues të tjerë.

Si e gjykoj unë, pse ata dhanë direktiva që Saliu të merret me drejtimin e Partisë Demokratike, dhe jo Gramozi. Po të nisem nga baza kryesore, të dy ishin komunistë. Madje Saliu ishte dhe sekretar partie. Por kishte dhe një problem, babai i tij, ishte ish-prokuror i Gjyqit të deputetëve. Shumë prej atyre deputetëve, i kishin miq të gjithë në diasporë dhe në SHBA dhe ata mbanin mend Josifin dhe jo Gramozin. Unë mendoj se edhe me mbështetjen e Elez Biberaj, që ka influencuar në qarqet amerikane me ndikim duke dhënë garanci për Sali Berishën, u dha si udhëzim që drejtimin e PD-së është mirë ta marrë Sali Berisha. Kur erdhi Saliu nga Amerika, e ndjente veten në pozita shumë superiore.

U thirrën të gjithë kryetarët e degëve, u mbush salla me njerëz të tjerë që nuk kishin lidhje me degët, por që Saliu i konsideronte si intelektualë të shquar të Shqipërisë.

Pasi u zhvillua votimi. Ky organizoi edhe vendin ku do të bëhej votimi.

Ka qenë një djalë, Agron Çika, kryetar i Komisionit të votimit. Ai e besonte Saliun në mënyrë të verbër. Pas 3-4 vjetësh ai ka ikur natën, nga Shqipëria, sepse ishin gati ta vrisnin rojet e Saliut. Agron Çika është tani në Austri, jeton në azil politik atje.

Ai ishte njeriu qe e di mire si u manipuluan votat për të bërë Berishën kryetar te PD- se.

Iku sepse nuk e di çfarë dokumenti kishte në dorë që ia kishin kërkuar ata të SHIK-ut që t’ia merrnin, ky nuk e dorëzoi dhe u largua, iku në Austri.

Përsa i përket Berishës sot, fakti që pretendon e thotë “ne jemi parti pro-amerikane, pro-evropiane”, që në themel është në kontradiktë me akuzën që ka nga SHBA-ja. As ai vetë nuk e di si e arsyeton zgjidhje e kësaj kontradikte. Si mund të marrë drejtimin e partisë më të madhe opozitare në Shqipëri, duke qenë person non-grata nga SHBA. Për të është luftë jetë a vdekje, për të dhe familjen e tij. Kështu që ai do të luajë çdo gur që ai mendon se mund ta shpëtojë nga ky rrezik që e ka rrethuar. E konsideroj të pashpresë dhe nuk mendoj kurrë që ai do të arrijë të marrë kryesinë e Partisë Demokratike. Ai mund të krijojë një parti tjetër, por që të marrë kryesinë e PD-së, që sot ka kryetar Lulzim Bashën, më duket paradoks.

– Pse mos ta marrë, kështu e ka marrë edhe më parë, në kohën që dëshmoni?

– Atëherë ka pasur mbështetjen e SHBA-së, sot nuk e ka më.”, u shpreh Bardhyl Reso .

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re