Bardhyl Reso ka qenë ndër 13 anëtarët e parë të Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike dhe deputet i Kuvendit të parë Demokratik pluralist postkomunist, i ftuar në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga tregoi edhe për takimin e parë të Kryeministrit Edi Rama me Partinë Demokratike në fillimet e saj kur ajo po formohej si parti.

“Ate ditë u rrëzua në Shkodër busti i Stalinit dhe Partia Demokratike vendosi të dilte me një deklaratë që ishte kundër dhunës, domethënë ishte për rrugë paqësore me zgjedhje të lira dhe u vendos që Preç Zogaj të shkruante një material dhe do ta lexonte Arben Imami. Dhe shkuan të punonin për këtë sigurisht duke ndjekur dhe lajmet sepse vazhdimisht jepeshin lajme për çfarë po ndodhte në Shkodër. Në atë kohë bie dera dhe hyn në mbledhjen ku ne ishim Edi Rama.

Shumë e kanë shpjeguar në mënyra të ndryshme atë takimin e Edi Ramës me Partinë Demokratike mund të themi. Por mua më kujtohet fare mirë kur mbasi u ul aty dhe po dëgjonte se çfarë po bisedonim ne, hyn Preçi me tekstin që kishte përgatitur që do lexohej dhe të bënte përshtypje që në tekst i bëheshin shumë elozhe Ramiz Alisë, si babai i pluralizmit pra domethënë një qëndrim shumë konformist. Duket se kjo gjë nuk i pëlqeu Edi Ramës dhe tekstualisht tha: Ore ju hala me Ramiz Alinë? Dhe u hodh Gramoz Pashko qe i tha: Edi ne kështu mendojmë, ti je i mirëpritur por nëse ti nuk je dakord me këto mendimet tona ti mund të krijosh një parti tjetër.

Edi ngrihet nga vendi dhe thotë : Mirupafshim! Kjo është ajo ndodhia e takimit të parë që pati Edi Rama me Lëvizjen Demokratike të Shqipërisë, i cili në atë kohë ishte në Greqi dhe erdhi nga Greqia kur mori vesh për zhvillimet politike që po bëheshin në Shqipëri.

Një moment tjetër që kujtoj është kur , pasi si ishte krijuar partia dhe kishim ato detyrat tona, unë merresha kryesisht me lejet e mitingjeve që organizonte Partia Demokratike me Drejtorinë e Policisë të Tiranës.

Më kujtohet kishim marrë një leje për një miting që do bëhej në stadiumin Qemal Stafa, në sheshin e stadiumit. Unë e mora lejen në rregull dhe kisha shkuar në shtëpi , kur më merr në telefon Sali Berisha dhe më thotë: More Bardhyl, çfarë bën ti kështu? Ti ke dhënë leje për të ftuar Edi Ramën në miting?

Edi Rama ishte veshur me të zeza më thanë, ishte veshur me këmishe të zezë pantallona të zeza dhe me atë oratorinë e vet, sigurisht që e ndezi turmën, bile morën rrugën për të shkuar andej nga blloku. Por nuk e di sesi u evitua kjo sepse të them të drejtën unë nuk kam qenë. Dhe Berishës këtë i thashë, që nuk kam dhënë leje për asnjë njeri. Aty ka qenë Azem Hajdari vetë dhe nëse Azemi e ka pranuar Edin të flasë, është punë e tij. Unë kam marrë leje për mitingun, nuk kam marrë leje për njerëzit. Rama nga pikëpamjet e tij ka qenë i djathtë dhe është i djathtë.”- u shpreh Bardhyl Reso për “Shqip” në Dritare TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re