Barometri i Ballkanit për vitin 2025 tregon rezultate pozitive për Shqipërinë, lidhur me dëshirën dhe ambicien për anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian.

Kështu, sipas Barometrit, 64% e Ballkanit Perëndimor ndihet “e sigurt” se bashkëpunimi rajonal mund të përmirësojë situatën ekonomike të vendeve.

Në këtë aspekt, Shqipëria mban rekordin me 77% për nga besueshmëria e qytetarëve se bashkëpunimi rajonal është një mjet i madh ndihmës.

Në vend të dytë vjen Maqedonia e Veriut (71%), më pas Kosova (67%), Mali i Zi (67%), Serbia (61%) e në fund Bosnje Hercegovinë (52%).

Mbështetja e qytetarëve për integrimin e vendit në unionin evropian është shumë i rëndësishëm, ku dhe këtu Shqipëria kryeson me 86% përkrahje.

Në vend të dytë vjen Kosova me 78% të qytetarëve që suportojnë integrimin në BE, e më pas Maqedonia e Veriut (62%), Bosnja Hercegovinë (59%), Mali i Zi (59%), e në fund Serbia (42%).

Sipas Barometrit, 43% e shqiptarëve presin anëtarësimin në 2030, ndërsa Kosova dhe Mali i Zi renditen me 39% secila.

Bosnja Hercegovina ka besueshmërinë më të ulët për anëtarësimin e tyre në BE, me rreth 9%. Pritshmëri të ulëta vijnë dhe nga Serbia e Maqedonia e Veriut, nga të cilat 15% e secilës popullsi duket optimiste për bashkimin e tyre me BE brenda kësaj dekade.

66% e bizneseve të Ballkanit Perëndimor parashikojnë përfitime nga udhëtimi vetëm me kartë identiteti brenda rajonit, pra rreth 6% më shumë krahasuar me vitin 2024.

Lidhur me këto përfitime, shqiptarët shprehen 69% me besim për udhëtimin përmes ID Card, ashtu sikurse dhe Bosnje Hercegovina (69%). Por, lista kryesohet nga Serbia, ku rreth 77% e qytetarëve të saj besojnë se mund të kenë përfitime nga lëvizja përmes kartës së identitetit. Kosova shpreh 58% besueshmëri.

39% e bizneseve të Ballkanit Perëndimor thonë se regjimi i lirë i roaming-ut brenda rajonit uli kostot e operacioneve të biznesit, ndërsa 35% thonë se përfituan nga ulja e tarifave të roaming-ut të të dhënave me BE-në.

Sa i përket shërbimit roaming, vetëm 31% e shqiptarëve janë shprehur për benefite nga ulja e tarifave me BE. Duket se përfitimi më i madh ka ardhur nga Bosnja Hercegovina, ku 63% e qytetarëve kanë shprehur kenaqësi, ndërsa më e ulëta shënohet për Kosovën (12%).

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re