Kryetari i PD-së, Lulzim Basha gjatë intervistës sët tij në emisionin “Opionin” në TV Klan ka deklaruar se në zonën e Hasit ka katër policë që kanë rezultuar pozitiv me Covid-19, duke shtuar gjithashtu se uniformave blu atje nuk po iu bëhet testimi.
“Katër efektivë të Policisë së Shtetit në Has kanë rezultuar pozitivë me Koronavirus. Ky është raportimi që na vjen sonte në darkë ( të hënën). Kanë qenë në detyrë gjatë gjithë këtyre ditëve, kanë qenë në kontakt me qytetarët , kanë qenë në kontakt me punonjësit e Policisë në Komisariatin e Policisë së Hasit. Shkoni dhe pyetini sot, të gjithë kolegët në Polici që kanë pasur kontakt me efektivët që kanë dalë pozitiv dhe që kanë pasur simptoma. Kërkojnë të bëjnë testin, sepse kanë familje, kanë fëmijë, kanë bashkëshortë, kanë prindër, nuk ua bën kush testin. Është normale kjo? Këtë po kërkojmë, kjo nuk është normale, kjo është kriminale. Prandaj kemi tre javë që kërkojmë testim sepse në qoftë se nuk bëjmë testime, nuk kontrollon dot”, theksoi Basha.
Opozita prej kohësh ka kërkuar që të realizohen sa më shumë testime, pasi vetëm kështu mund të ketë një ndërprerje të zinxhirit të të prekurve, si dhe të identifikimit në kohë të shpejtë të rasteve.