Kryedemokrati Lulzim Basha e ka nisur me akuza fjalën e tij nga Foltorja e Kuvendit lidhur me Buxhetin 2022 të prezantuar më herët nga kryeministri Rama.
Duke iu drejtuar qytetarëve, ai tha se kryeministri Rama nuk ka asnjë plan për ta, pasi do të japë 113 milionë euro koncesione (PPP) dhe 52 milionë euro për zyra të reja luksi për qeveritarët.
“Buxheti i shtetit është akti që reflekton mënyrën se çfarë është një qeveri. Vizionin apo mungesën e vizionit të një qeverie. Përcakton veprimin ekonomik me të cilin preken jetët e qytetarëve. Është në çdo rrethanë, edhe pas perversitetit të 25 prillit. Këtu vendosin se si dhe sa do nxjerrin dhe do shtrydhin nga xhepat tuaja dhe se çfarë do bëjnë me këto para. Ne kemi kundërshtuar paketën fiskale, një kundërshti që e kemi shprehur në apriori. Nuk kemi qenë të vetmit në këtë kundërshtim, të qartë kanë qenë kundërshtimet e industrisë prodhurese, dhjetra dhomave të tregtisë apo dhe bizneseve të vogla. Nuk e kanë përqafuar këtë buxhet.
Më të qartë e ka ai që sheh përtej fjalëve të mëdha që del nga kjo sallë. Një spirale dëshpërimi. Ndërsa fletët e printuara që jua sjellin deputetëve këtu dhe që kërkojnë të votojnë, nuk reflektojnë asnjë prej halleve tuaja. 51% është shifra e Eurostat që tregon përqindjen e qytetarëve në rrezik varfërie, më e larta në Ballkan. Banka Botërore thotë se vitin e kaluar iu shtuan 28-112 mijë të varfër.
Këto janë jetë të shkërmoqura. Çmimet parakalojnë këtë indeksim të vobektë të pensioneve dhe rrogave. Njerëzit vazhdojnë të zhyten në varfëri, u shtohet atyre që kanë kërkuar shpëtimin përmes largimit nga vendi. Plani kryesor që kanë bërë të ditur, është hapja e thesit për oborrtarët e korrupsionit. Shqiptarët nuk kanë mundësi të shtrojnë sofrën për familjet e tyre.
Lista pafundme borxhesh, mbeten të braktisur të mëdhenj sepse asgjë nuk është parashikuar për ta. Po menduan për ta rrezikojnë që të mos japin ato 113 mln euro që i kanë caktuar për PPP-të, për një grusht njerëzish. 113 mln euro është një shifër 5 herë më e lartë për indeksimin e pensioneve.
Familje në nevojë, ju dhjetra mijë që ju mbajnë me skemën ekonomike dhe ju që jeni flakur padrejtësisht nga kjo skemë, kjo shumë 113 mln euro është 3 herë më e lartë se fondet vjetore që ndahen. Dorëlëshuar nuk janë vetëm me PPP-të, por dhe me luksin qeveritar. Ndërkohë që flasin për krizë energjitike, këta planifikojnë të shpenzojnë 51.2 mln euro për mobilime, makina, dhe zyra qeveritare. Para që duhet të ishin në duart e familjeve, dhe jo në duart e tyre të stërvitura për t’i çuar në luks Nusretësh” – tha Basha.