Kreu i PD, Lulzim Basha ka zhvilluar një bashkëbisedim me Kryesinë e Shoqatës ”Durrësi” ku është njohur me problematikat e qytetit bregdetar.

Basha thotë se ka një lajm të mirë për pakënaqësitë, dhe ka kërkuar që gjithë durrsakët e durrasket të dalin masivisht në votime për të ndryshuar situatën.

Ai thotë se së pari PD në qeveri do të korrigjojë gabimet që në fakt kanë qenë aferat korruptive. Basha nuk ka kursyer as ish-kryebashkiakun Vangjush Dako, për të cilin thotë se vijon të mbetet krahu i djathtë i Edi Ramën.

NJOFTIMI PËR TAKIMIN E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, ME KRYESINË E SHOQATËS “DURRËSI”

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka biseduar ditën e sotme me kryesinë e Shoqatës “Durrësi”, i cili ka dëgjuar nga afër problematiket e tyre. Duke e konsideruar si një masakër urbane ajo që i është bërë vitet e fundit këtij qyteti, ata shprehën se sot Durrësi ka humbur vlerat e tij turistike dhe historike.

“Shoqata jonë është një shoqatë jo fitimprurëse e cila ka qëllimet e veta dhe qëllimi kryesor i saj është mbrojtja e vlerave të qytetit të Durrësit. Një qytet që po i ikën lavdia nga dita në ditë , një qytet 3 mijëvjeçar ka lavdinë e vet të padiskutueshme në gjithë Shqipërinë edhe në të gjithë rajonin por kjo lavdi është shkelur me këmbë dhe masakra urbane ka bërë atë që Durrësi sot nuk është më për mendimin tonë, të gjithë ne që jemi këtu. Nuk është më ai Durrës si qytet turistik, si qendra e Ballkanit madje mund të them. Dhe pikërisht për këto kjo shoqatë është shumë e shqetësuar në lidhje më këtë masakër urbane që është bërë këtu duke filluar që nga Veliera. Çfarë përfaqëson Veliera? Veliera përfaqëson hyrjen nga Durrësi që është nga porti. Jo nuk shihet më bulevardi dhe gjelbërimi i Durrësit por çfarë shihet? Shihet një palë hekura dhe sikur ne jemi brenda hekurave të burgosur. Me zbulimin arkeologjik që u bë atje, ne mbuluam historinë 600 vjeçare të armatimeve që ishin aty, të shtëpisë së princ Vidit. Pavarësisht se ishte një princ i huaj por ishte një udhëheqës i këtij shteti që formoi shtetin në 1914. E mbuluam dhe atë dhe shumë e shumë gjëra të tjera për Durrësin, mos të themi tani te zhdukja e të gjithë kondicioneve urbane, zhdukja e gjelbërimit në Durrës dhe betonizimi i plotë i qytetit, si në Durrës, si në plazh, duke humbur këtu të gjithë ngjyrat e veta që ka ky qytet. Në këtë kuptim, ne kërkojmë Partinë Demokratike dhe ju në pozicionin e kryeministrit të ardhshëm që të vendoset dorë mbi Durrësin dhe Durrësi të kthehet në identitet.” – u shpreh një nga përfaqësuesit të Shoqatës së Durrësit.

Ata thonë se Durrësi sot komandohet nga hajdutët të cilët e kanë shpërdoruar dhe kanë shkatërruar. Një shqetësim tjetër që ngritën ishte edhe problemi i pronave që ligjet e miratuara nga qeveria synon t’jua grabis.

Qytetari 2: Tani, Durrësi ka shumë probleme se dimë që komandohet jo nga socialistët por nga hajdutët të cilët kanë vjedh ç’do gjë, kanë shpërdoruar ç’do gjë, kanë shkatërruar ç’do gjë dhe ne shpresojmë që me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike, me ju kryeministër në krye shpresojmë që të kemi ndryshime. Pronarët e vjetër durrsak kanë një kërkesë. Të bëhet shteti i së drejtë jo shteti ligjor sepse ai domethënë sepse ai me ligj i ka të gjithë vjedhjet që i ka bërë me PPP i ka bërë me ligj në parlament. Domethënë ligji nuk është me të drejtën. Ne kërkojmë që shteti të kthehet në shteti i së drejtës. Nëpërmjet shtetit të së drejtës ne kërkojmë rikthimin e ligjit të pronave. Ligji i pronave është abuziv, nuk lejon pronarin me investuar, por duhen vijnë të investojnë jo nëpërmjet qeverisë por nëpërmjet kontratave me pronarët. Tjetër gjë përveç pronave, kërkojmë që të ndryshohet sepse vendimet e gjykatës marrin formën e prerë vetëm nëpërmjet Gjykatës së lartë, për proceset e pronave dhe të pronarëve. Kërkojmë sipas procedurës civile, ligji domethënë vendimi të marrë fuqi në gjykatën e apelit siç është në të gjithë vendimet e tjera siç ka qenë edhe për vendimet e këtij kthimit të pronave.

Pasi dëgjoi kërkesat e tyre, Basha tha se Durrësi ende dhe sot kontrollohet nga bandat që sot janë në listën e zezë të Departamentit të Shtetit Amerikën. Ai u zotua se me ndryshimin që do vij më 25 prill, qeveria e ardhshme do të zbatoj një plan urbanistik për të korrigjuar shkatërrimin e qytetit dhe do bëj një moratorium dhe më pas një plan të qartë për të mbrojtur dhe për të nxjerrë në pah pasuritë, thesaret e trashëgimisë kulturore të Durrësit. Ai gjithashtu premtoi se do të garantojë respektimin dhe shenjtërimin e pronës dhe zhvillimin e saj vetëm në dobi të pronarëve të ligjshëm, duke e zhbërë si fillim ligjin e shpronësimit të dytë dhe që është një angazhim që Partia Demokratike e ka marrë edhe para shoqatave të pronarëve.

Lulzim Basha: Së pari ju falënderojë edhe një herë për këtë mundësi! Për mua personalisht është një nder dhe kënaqësi ta dëgjoj, qytetarinë e Durrësit, përfaqësuesit e qytetarisë së Durrësit, t’i shprehin shqetësimet e tyre, por po kështu të kërkojnë zgjidhje nga Partia Demokratike dhe nga unë. Sepse kjo tregon që Durrësi dhe durrsakët kanë pritshmëri legjitime nga qeverisja e ardhshme. Dhe as nuk mund të zgjidhen me premtime që bëhen në prag fushatash dhe pastaj braktisen. Në prag të fushatës së kaluar u premtuan kulla 40, 50 katëshe në Tiranë me investime nga Arabia. Asgjë nuk ndodhi!

Tani premtohet tjetërsimi i portit të Durrësit, pa pikë transparence, pa pikë konsultimi. Respekti për pronën, respekti për djersën, për krenarinë e gjeneratave të tëra të familjeve durrsake. Respekti për trashëgiminë kulturore dhe një plan i mirëmenduar urbanistik dhe turistik janë në themel të zhvillimit të Durrësit të ardhshëm, janë themel të angazhimeve tona karshi qytetarëve të Durrësit dhe ekonomisë së Durrësit. Ka një lajm të mirë gjithë këto lajme të këqija që me gjithë këtë kaos, me gjithë këtë mungesë totale konsiderate për trashëgiminë kulturore, me gjithë mbërthimin e vendimmarrjes nga një grusht bandash që gjithë Shqipëria e di siç e di Durrësi që për 10 vite çdo vendim nga vendimet më të mëdha deri tek vendimet më të vogla janë bërë, janë firmosur me dorën e bandave dhe simbolizohen nga ai që sot është në listën e zezë të Departamentit të Shtetit dhe pavarësisht prej kësaj Dako vazhdon të jetë nën hije bashkë me Çelën, vazhdon të jetë dora e djathtë e Edi Ramës në Durrës. A janë këta njerëzit që pas tetë vitesh shkatërrim të ekonomisë së Durrësit, trashëgimisë kulturore të Durrësit, të pronave të durrsakëve. A janë këta që meritojnë edhe katër vite të tjera? A kanë këta zgjedhje për qytetarët e Durrësit? Sigurisht që jo.

Ajo që duhet të bëjmë është që të mos të lëmë asnjë durrsake dhe durrsak pa votuar. Të dalim masivisht sepse ndryshimi vjen përmes votës dhe përmes kutisë së votimit dhe ky ndryshim për ne do të thotë së pari të korrigjojmë këtë gabime të tmerrshme që në bazë faktikisht kanë afera korruptive dhe të vëmë një moratorium dhe më pas një plan të qartë për të mbrojtur dhe për të nxjerrë në pah pasuritë, thesaret e trashëgimisë kulturore të Durrësit. Së dyti, të zbatojmë ligjin dhe të garantojmë nderimin dhe respektimin dhe shenjtërimin e pronës dhe përdorimin apo zhvillimin e saj vetëm në dobi dhe në funksion të pronarëve të ligjshëm, duke e zhbërë si fillim ligjin e shpronësimit të dytë që është një angazhim që ne e kemi marrë edhe para shoqatave të pronarëve. Së treti të çlirojmë nga vargonjtë me të cilat është lidhur çdo potencial zhvillimi në Durrës, nga universiteti i cili me planin tonë dhe në bashkëpunim me universitetet europiane dhe Komisionin Europian do të kthehet në një qendër mesdhetare të kualifikimit të rinisë durrsake dhe të rinisë së Shqipërisë në profesione të cilat përshtaten me kërkesën e madhe të një tregu dinamik pune në Europë por që këto profesione t’i ushtrojnë këtu, qofshin këto në fushën e inxhinierive apo ën fushën e turizmit apo në fushën e informatikës. Në raport me shtresat në nevojë angazhimet tona janë të qarta. Ato probleme që ju shtruat unë i kam diskutuar me përfaqësuesit që ju përmendët dhe kemi rënë dakord në parim edhe për një marrëveshje kuadër që do të përbëjë bazën e marrëdhënies me respekt të ndërsjelltë, me dialog dhe me një vendimmarrje transparente që do të burojë gjithmonë përmes konsultimit me personat me aftësi të kufizuar, po të njëjtën gjë do të bëjmë për ndihmën ekonomike, dyfishimi i të cilës është një nga angazhimet e menjëhershme të cilat do të vëmë në zbatim, sepse Durrësi dhe gjithë Shqipëria, për fat të keq gjatë këtyre 8 viteve ka njohur një rritje të numrit të familjeve që janë në nevojë ekonomike, por mbi të gjitha për ne është e rëndësishme të vëmë në lëvizje zinxhirin e ekonomisë, ingranazhet ekonomike dhe këtu Durrësi ka nevojë për vëmendje të menjëhershme, ka nevojë për fonde, jo thjeshtë për të sprapsur pasojat e tërmetit, për ta bërë rindërtimin realitet duke vënë interesat e të dëmtuarve dhe të ekonomisë së durrsakëve të parat dhe jo të mbushim xhepat e disa kontraktorëve, e disa kompanive fantazmë që në fakt janë pushtetarët që fshihen pas tyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re