Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha teksa ka vendosur të dëgjojë qytetarët dhe hallet e tyre, në rrjetin social instagram ngriti pyetjen se “Nëse do drejtonit Ministrinë e Arsimit në një ditë, cili do ishte vendimi i parë që do merrnit për të përmirësuar jetën e të rinjve në Shqipëri?”

Ishin të shumtë qytetarët që nuk kanë nguruar të japin mendimet, ku mes tyre spikat anulimi i ligjit për arsimin e lartë.

Kreu i demokratëve thekson se kjo lëvizje është pika e parë e programit për arsimin e lartë.

Gjithashtu, Basha tha se paketa e prezantuar prej tij parashikon rritjen e financimit dhe e nivelit për të gjithë fushat e arsimit, si dhe kushte më të mira për studentët që të konkurrojnë denjësisht për punësim.

“Jam shumë i befasuar që vetëm brenda pak orësh mijëra prej jush ndjekës në instagram i jeni përgjigjur pyetjes se cili do të ishte vendimi i parë nëse do të t’ju besohej drejtimi i Ministrisë së Arsimit. Mes mijëra sugjerimeve dhe propozimeve spikat anulimi i ligjit për arsimin e lartë. Është pika e parë e programit tim, programit të PD për arsimin e lartë.

Sugjerimet e tjera kanë të bëjnë me shtimin e financimeve për shkollat dhe universitetet në të gjitha fushat e arsimit dhe në vecanti në krijimin e kushteve më të mira në universitete, që studentët të dalin në tregun e punës dhe të konkurojnë si dhe me denjësisht dhe me paga të larta.

Ju falenderoj nga zemra që bashkëbiseduat me mua sot në Instagram dhe shpresoj ta vijojmë këtë formë të shprehjes së problemeve që keni ju”, tha Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re