Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte këtë të mërkurë në Lezhë, nga ku foli sërish për deformimin e vullnetit të qytetarëve në zgjedhjet parlamentare.
Teksa fajësoi Edi Ramën për manipulim votash më 25 prill, ai shtoi se qytetarët kanë ngritur dhe po ngrenë kartonin e kuq kundër Kryeministrit.
Më tej, kryedemokrati solli në vëmendje premtimin e bërë gjatë fushatës që PD do të ndërtojë një të ardhme më të mirë për njerëzit.
“Ju bëj thirrje që siç jemi mbledhur sot bashkë këtu me kapitenët kryesorë të betejës në qarkun e Lezhës, i ka dhënë një mësim shembullor regjimit me rezultatin e marrë përkundër të gjithë shantazheve kriminale, milionave që derdhën dhe vënies në funksion të fushatës shtetin, njësoj si në kohën e partisë-shtet.
Ajo forcë që keni demonstruar, është pjesë e pandashme e shpirtit tuaj, atë s’ua merr dot askush përveç Zotit. Ndaj, le të vazhdojmë bashkë me bashkëluftëtarët tanë, me një ekip të jashtëzakonshëm njerëzish, shpeshherë i padukshëm në sytë e kamerave.
Një ekip të jashtëzakonshëm kurajosh, zemrash, shpirtrash, sakrificash me të cilët së bashku zhvilluat këtë betejë dhe arritët të mposhtnit frikën dhe të bashkonit qytetarët e Lezhës, Mirditës dhe Kurbinit dhe le të bëhemi gati që njeriut që ndërtoi skemën kriminale dhe orkestroi masakrën elektorale të 25 prillit dhe aleatëve të tij kriminel, t’i tregojmë vendin një orë e më parë.
Zoti ju ruajt dhe ju bekoftë ju dhe familjet tuaja! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, beri thirrje Basha!
