Kryetari i PD Lulzim Basha ka vijuar të thellojë qëndrimet e tij kundër ish-kryeministrit Sali Berisha. Një javë më parë, Berisha dha një mesazh të drejtpërdrejtë për Bashën, të cilit i kërkoi të përgatitet për luftë globale kundër qeverisë, shumë herë më të ashpër se ajo e vitit të kaluar.
Për këtë u pyet edhe pasditen e sotme në emisionin “Kjo Javë” kryedemokrati, i cili refuzoi të komentojë deklaratat e Berishës. Ai tha se opozita do vazhdojë të mbajë këtë linjë që ka pasur deri më tani, por nuk përmendi që në planet e tyre të ketë protesta apo revolucionin që kërkon ish-lideri historik i PD-së.
Basha: Mesazhet e doktor Berishës i marr drejtpërdrejt nuk ka nevojë t’i marr përmes emisionit tuaj.
Nisida Tufa: Zoti Basha, një parti e djathtë që kërkon revolucion…
Basha: Nisida me gjithë respektin që kam për ju, ju e keni pasur doktor Berishën, sot më keni mua. Nuk besoj se më keni thirrur të bëj komentet e zotit Berisha.
Nisida Tufa: Ishte një mesazh i drejtpërdrejtë për opozitën ai zoti Basha.
Basha: Diskutimet tona i bëjmë të qarta, marrim vendime, ecim përpara. Kështu që me gjithë respektin për ju, për programin tuaj dhe gazetarinë tuaj, jam i gatshëm t’i përgjigjem çdo pyetjeje me interes por mos më vini në pozita të komentimit të deklaratave as të doktor Berishës, as të dikujt tjetër. Jam këtu për të shpalosur qëndrimet, mendimet e mia dhe të opozitës.
Nisida Tufa: Atëherë kjo është pyetja ime. A duhet PD dhe opozita të bëjë revolucion për të hequr Edi Ramën?
Basha: PD dhe opozita do të bëjnë detyrën para qytetarëve, që është të denoncojnë të keqen, mos bëhen pjesë e së keqes, të shpalosin alternativën dhe të bashkojnë shqiptarët në një proces zgjedhor në kushte normale e të lira që në fund ka si qëllim rrëzimin e kësaj qeverie.