Kreu demokrat Basha doli me një përllogaritje duke konkluduar atë që sipas tij ka qenë efekti i bashkëpunimit me krimin nga ana e kreut të mazhorancës

“Sot mund të themi me siguri se krimi i ka siguruar Edi Ramës të paktën 10-15 deputetë përmes kërcënimit, grabitjes dhe blerjes së votes”, tha Basha në një deklaratë për shtyp.

Ai përmendi po ata emra që opozita ka listuar prej kohësh si emra të kriminalizuar në politikë, duke e pasuruar dhe me emrin e deputetit, deri para pak  javësh aspak të njohur për publikun e gjerë, Rrahman Rrahja.

“Kriminelët e Fushë Krujës grabitën vota për Edi Ramë në zgjedhjet e 2017, nën drejtimin direkt të deputetit Rahman Rraja. Vetë djali i Rrajës u hetua për blerje votash dhe për kërcënim ndaj votuesve por hetimet ndaj tij u mbyllën. Grupi Rraja ka qenë i vetmi shtab elektoral i PS-së në Krujë aq sa Rraja i vogël ndihet oponenti ynë zgjedhor dhe sfidon opozitën në zgjedhje, duke provuar hapur se konkuruesi ynë zgjedhor nuk janë socialistët por janë kriminelët e rekrutuar nga Edi Rama”, tha Basha.

Kujtojmë se teza e “krimit që bleu vota”, PD e hodhi dy javë pas humbjes në zgjedhjeve të 2013-ës. Ç’prej atëherë, kjo tezë erdhi duke u forcuar dhe në dy palë zgjedhje të tjera pasuese, po me rezultate të thella negative për të, ushqyer dhe nga disa incidente parlamentare, si dhe nga e kaluara problematike me ligjin e disa të zgjedhurve të saj, në Kuvend apo pushtet lokal.     

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re