Ish kryedemokrati Lulzim Basha ka vijuar takimet e tij me demokratët, ku ka theksuar se qëllimi i tij është fuqizimi i rinisë dhe rigjenerimi i elitës politike nisur që nga PD.

 

Aleanca Qytetare për Demokracinë është nisma, që sipas Bashës do t’i shërbejë këtij qëllimi.

 

“Hapja, modernizimi, fuqizimi i rinisë dhe qarkullimi i elitave brenda Partisë Demokratike do jenë pjesë e përditshme e përpjekjeve tona për të rritur besimin dhe inkurajuar angazhimin e të rinjve në politikë.

 

Ndryshimi që shumica e heshtur kërkon do të nisë nga familja jonë politike për t’u shtrirë më pas në të gjitha institucionet vendimmarrëse të vendit.

 

Ne do t’i bashkojmë forcat dhe energjitë tona me të gjithë shqiptarët që duan të kenë në duart e tyre pushtetin, për të zgjedhur dhe ndikuar në qeverisjen e vendit.

 

Aleanca Qytetare për Demokracinë është mjeti në shërbim të këtij bashkimi, pavarësisht bindjeve politike, por të qartë se ndryshimet kushtetuese dhe ligjore për të cilat vendi ka nevojë janë kushti paraprak për të çliruar potencialin e jashtëzakonshëm politik dhe ekonomik që vendi ynë ka”, tha ai.

 

Në të njëjtën kohë, Basha i ka qëndruar besnik kërkesave të tij për ndryshime në sistemin zgjedhor dhe vetting-un e politikanëve.

 

“Me listat e hapura, vetting-un e politikanëve, kufizimin e mandateve, votën e diasporës, zgjedhjen e Presidentit nga populli, duke i dhënë kopetenca kontrolli mbi vendimet e Parlamentit dhe qeverisë, ne çelim siparin e një debati të madh kombëtar, e me forcën e bashkimit do t’i bëjmë realitet.

 

Duhet t’i japim fund pushtetit pakufi, vendimmarrjes që bazohet në vullnetin e një individi, duke i dhënë peshë votës së qytetarëve dhe rritur mekanizmat e kontrollit nga Parlamenti”, tha ai.

 

Nga ana tjetër, Basha do të tentojë rimarrjen e drejtimit të PD, në zgjedhjet e 27 korrikut. Ai ka zyrtarizuar kandidaturën e tij, ndërsa përballë deri në këto momente ka vetëm Gjergj Hani.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re