Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka startuar fushatën zyrtarisht nga Shkodra për zgjedhjet lokale të 6 marsit. Ai si fillim ka bërë një selfie me demokratët e pranishëm.

Po e nis me një selfi se kam iluzionin që selfi, fotografia, do ta kujtoj e do ta ruaj, do ta përjetësoj këtë moment mahnitës, këtë moment të mrekullueshëm këtu në këtë kryeqendër që gjithkush, çdo shqiptar, çdokush që flet shqip, i thotë kryeqendra e veriut. Por në fakt është kryeqendra e kombit sa i takon qytetarisë, sa i takon vlerave, sa i takon spirancës së kombit, udhëtimit tonë qindravjeçar dhe shekullorë drejt destinit tonë perëndimor.

Ndaj dua t’iu falënderoj për këtë atmosferë të mrekullueshme që dinë ta falin vetëm shkodranët. Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, dy dashni kanë shkodranët: Partinë Demokratike dhe Vllazninë. Them që nuk iu njoh pak, duke iu njohur mirë, duke parë si keni votuar, zgjedhje pas zgjedhjesh që kur kam qenë fëmijë, si keni zgjedhur në kohë të vështira, mund ta them me gojën plotë para jush, para gjithë shkodranëve, para gjithë Shqipërisë që askush nuk i rren dot shkodranët. Nuk i ka rrejt Enver Hoxha për 50 vite , e nuk mundet me i rrejt askush me asnjë marifet.

Është kështu apo jo? Xhemali, në një nga bisedat kohë më përpara, kur nuk e dinte që do t’i propozohej sakrifica e përfaqësimit të shkodranëve në një moment si ky, më ka thënë tre fjalë që i kam dëgjuar edhe nga shkodran të tjerë, kështu që besoj që është një fjalë e gjithë qytetit, e gjithë bashkisë, nga Dukagjini në Velipojë, Shkodra është dashni. Dhe e shoh që e ka dhe në sloganin e tij “me dashni për Shkodrën”, por e vërteta është që Shkodra është dashni, e vërteta është që Xhemal Bushati është kandidati më i mirë për Shkodrën. Ai është pjesë e Shkodrës, e tha një nga parafolësit. Është pjesë e Shkodrës jo vetëm në ditë të bukura si kjo ku jemi mbledhur bashkë për të festuar në zemrat tona besimin e pathyer se bashkë nuk ka forcë të na mposht po edhe në ditë të vështira, edhe në ditë të errëta, jo vetëm në ditë me diell, edhe në ditë me shi.”, tha Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re