Ish-kryeministri Sali Berisha ka vendosur që të injorojë vendimin e Kryesisë së Lulzim Bashës, që vendosi përjashtimin e tij përjetë nga Partia Demokratike, pas protestës së datës 8 Janar, ku nuk munguan përplasjet e dhunshme.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha është ndalur edhe njëherë te protesta e ditës së shtunë, ku sipas tij nga brenda selisë është qëlluar me gurë në drejtim të protestuesve. Sipas Berishës, persona të paguar nga Basha, kanë thyer nga brenda xhamat e selisë, në mënyrë që ato të binin mbi protestuesit, sipas tij paqësor.

Postimi i Berishës:

Pamje te papara! Akte vrastare te mercenareve vraseses, trafikantet e pengmarres te Lul Kimikut. Ata thyejne xhamat dhe i hedhin mbi kokat e protestuesve paqesor! sb

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në një mbledhje që zgjati pak më shumë se 8 orë, kryesia e PD-së e drejtuar nga Lulzim Basha vendosi përjashtimin e Berishës nga PD, së bashku me 7 anëtarë të tjerë të Komisionit të Rithemelimit, dhe pezullimin e 19 të tjerëve. (Lexo lajmin) Pretendimi i kësaj vendimmarrje ishin aktet e dhunshme në protestën e datës 8 Janar, përpara selisë së PD-së.

Burimet saktësojnë se mbledhja e nisur pasditen e djeshme rreth orës 18:30 ka përfunduar vetëm rreth orës 03:30 të mëngjesit të sotëm. Sipas burimeve të Fax News anëtarët e komisionit të rithemelimit që janë përjashtuar janë: Bujar Nishani, Flamur Noka, Albana Vokshi, Edmond Spaho, Arben Ristani, Klevis Balliu dhe Keltis Kruja.

Ndërkohë që për pjesën tjetër të anëtarëve të Komisionit të Rithemelimit, Kryesia ka vendosur që ata të qëndrojnë të pezulluar. Në mesin e atyre që janë pezulluar janë Agron Shehaj, Belind Këlliçi, Ledina Mandija, Tritan Shehu, Aldo Bumçi, Çlirim Gjata, Edith Harxhi, Edi Paloka, Luan Baçi, Oerd Bylykbashi, Lorenc Luka, Ivi Kaso, Mimoza Hajdarmataj, Genc Pollo, Genc Deromemaj, Eno Bozdo, Ervin Minallori, Rigers Muçollari dhe Bledi Himçi.

Pritet që ky vendim i kryesisë të kalojë më pas për miratim në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike.

Mbledhja e djeshme e Kryesisë së PD-së u zhvillua nën masa ”të rrepta”, ku Lulzim Basha iu kërkoi të gjithë të pranishmëve që të hiqnin telefonat në mënyrë që të mos kishte rrjedhje jashtë të informacioneve.

Derimë tani precedenti ka treguar se Lulzim Basha ka shumicën e votave në Këshillin Kombëtar, ndërkohë që ende nuk ka një reagim nga Berisha për këtë vendim të marrë nga Kryesia.

Me shumë gjasë ai nuk do të njihet, sa kohë që Kuvendi i thirrur nga Berisha në 11 Dhjetor, pretendon se e ka shkarkuar këtë kryesi, dhe ka ndryshuar statutin e partisë.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re