4 javë pas humbjes së zgjedhjeve lokale, lideri historik i demokratëve, Sali Berisha, deklaroi se rezultati i 14 majit nuk do të njihet. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha përsëriti se demokratët po vazhdojnë procesin e mbledhjes së provave dhe fakteve për parregullsitë e këtyre zgjedhjeve, duke theksuar se kjo është beteja më e rëndësishme për opozitën.

 

SALI BERISHA

“Ne nuk do ti njohim keto zgjedhje”

 

Berisha iu është përgjigjur të gjithë kritikëve, që gjatë këtyre javëve kanë vënë në dukje se qëndrimi i tij pas humbjes së zgjedhjeve të 14 majit ngjan me qëndrimin e ish-kryetarit, Lulzim Basha, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit të vitit 2021.

 

“Çfarë ndodhi pas 25 prillit? A u mbrojt vota, a qëndroi PD në mbrojtje të votës? E vërteta është se ndodhi e kundërta. Edi Rama kishte korruptuar kreun e kësaj partie. Këtu në këtë seli gumëzhinin idetë për koalicionin në shtator me PS-në. Në rast se do kishte ndodhur mbrojtja e votës herën e parë, kjo farsë e tmerrshme nuk do ishte kjo që është sot.”

 

Në lidhje me rikthimin e Lulzim Bashës në skenën politike dhe ambicien e tij për të marrë sërish kreun e PD, Berisha përjashtoi një garë mes tij dhe Bashës për drejtimin e kësaj force politike.

 

“Është njëlloj si të më thuash a do bësh garë me Taulant Ballën. Kjo nuk mund të ndodhë.”

 

Në lidhje me të ardhmen e demokratëve dhe betejën për logon e PD, lideri historik i Partisë Demokratike, Berisha, preferoi të mos i përgjigjet qartë pyetjeve nëse ka ardhur momenti që ai të krijojë një parti të re.

 

“Unë ju kuptoj për shqetësimin që keni, por mendoj se misioni ynë duhet të vazhdojë. Ne i dëshpëruam ata që u përpoqën të asgjësojnë PD-në si forcë politike sovrane. Ne do qëndrojmë, kemi besim të plotë se kauza jonë do triumfojë.”

 

Prej dhjetorit të vitit 2021, Sali Berisha po lufton në dyert e gjykatave për të marrë logon e Partisë Demokratike. Ai fitoi betejën në shkallën e parë të gjyqësorit, e cila njohu kuvendin e 11 dhjetorit dhe rrjedhimisht njohu Sali Berishën si kryetar të PD. Po Gjykata e Apelit e rrëzoi Berishën duke e kthyer çështjen sërish në shkallë të parë. Një ditë pas zgjedhjeve lokale, Sali Berisha e goditi vendimin e apelit në Gjykatën e Lartë, ku është zhvendosur tani beteja për logon dhe flamurin e Partisë Demokratike.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re