Analisti Armand Shkullaku u shpreh mbrëmjen djeshme se Partia Demokratike ndodhet në një hall lidhur me vendimin ndaj ish-Kryeministrit Sali Berisha. Por Shkullaku tha se këtë hall, PD dhe Lulzim Bashës nuk mund t´ia zgjidhi Sali Berisha.

“Nuk mund të ecet me idenë se z.Berisha do të tërhiqet vetë, as do të vetëflijohet për PD, pasi nuk mund të pretendohet që çdo hall që ka kjo parti apo z. Basha, t´ia zgjidhë Berisha. Nëse ka një periudhë që Berisha mund të shpallej “non grata” ishte periudha 1992-1997, ku kishe një lider të opozitës në burg, kishe gazetar në burg, kishe piramidat, kishe zgjedhjet e 26 majit, pra kishe shumë arsye që mund të merrej një vendim politik në atë kohë kundër Berishës dhe nuk u mor”, tha Shkullaku.

Sipas tij, Basha duhet të marrë një vendim lidhur me Berisha, pro ose kundër, por një vendim duhet t´a marrë.

“Z.Berisha thotë se nuk ka as prova dhe fakte, ne nuk e dimë ende nëse ka prova apo fakte sepse nuk janë publikuar, atëherë, z. Basha ose mund t´i qëndrojë kësaj linje dhe të shprehet duke artikuluar një vendim, ose të marrë vendimin tjetër”, tha Shkullaku.

Sipas tij, që në ditën e parë PD duhet ta kishte marrë vendimin.

“Nuk është i lehtë. Por në momentin që u shpall “non grata” ishin dy mundësi; ose PD (nëse ishte e bindur) duhet të ndiqte standardin që ka kërkuar nga kundërshtarët politikë dhe (Berisha) nuk mund të jetë pjesë e grupit parlamentar ose jo, nuk besojmë te këto akuza, “është shtylla kurrizore e partisë, fytyra e PD” dhe do i qëndrojmë deri në fund.

Na jepni prova para se të shprehemi, janë zvarritje. Basha duhet të marrë një akt politik. Rruga e dytë do të ishte më e ndershme, nuk mund të distancohet nga dikush që e ke pasur në identitetin tënd. Qëndrimi i Bashës duhet të ishte në mbështetje të Berishës”, u shpreh ai

“Lapsi.al”, i drejtuar nga Armand Shkullaku ditën e sotme publikoi një mesazh, që sipas burimeve të portalit nga selia e PD-së, ambasada e SHBA-së në Tiranë u dërgoi drejtuesve të kësaj partie me këtë tekst “Pakti u prish, tani është radha jonë të flasim”. Po sipas lajmit të publikuar, mesazhi u dërgua përpara se Berisha të shpallte vendimin mbrëmjen e djeshme se nuk kishte ndërmend ta braktiste betejën në kuvend dhe të kërkonte fakte nga SHBA, për akuzën që i bëhej. Por si e analizon Shkullaku këtë mesazh?

“Dyshohet se mund të ketë një pakt. Dikush nuk mund të çojë një mesazh të tillë përderisa nuk jemi marrë vesh paraprakisht. Bëhet fjalë për një pritshmëri të ambasadës amerikane, që Berisha, ndonëse nuk ka një qëndrim për përjashtimin e tij, pritshmëritë e ambasadës kanë qenë se do të kishte një tërheqje.

Dalja e Berishës mesa duket e ka shqetësuar ambasadën dhe ambasadoren, pasi ka një udhëzim nga Uashingtoni për izolimin e Berishës dhe cdo dalje e tij mund t’i japë një shqetësim jo më PD-së, por me Uashingtonin, dhe përderisa shikon që udhëzimi po komplikohet, tregon humbjen e durimit.

Nuk mund t’i bëhet presion një partie për të marrë një vendim që është në diskrecionin e saj, është një gjuhë shantazhuese ndaj një partie. Kjo nuk vjen vetëm për shkak të arrogancës së diplomatëve, por edhe terrenit të lirë, mos mbajtja e qëndrimeve të prera, luajtja me dy porta ka krijuar një terren të tillë, që një ambasador të kërkojë marrjen e një vendimi të tillë”, tha Shkullaku.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re