Teksa ka transmetuar në ERTV-në e tij një intervistë të dhënë që dje në Berat, përballë gazetarit personal, Edi Rama e ka cilësuar një kukull kundërshtarin e tij politik Lulzim Basha, ndërkohë që Sali Berishën e ka quajtur gogol.

I pyetur se përse njerëzit duhet t’i besojnë një mandat të tretë, Rama nuk heziton të përmendë dy goditjet e mëdha që mori Shqipëria nga tërmeti dhe pandemia. Megjithatë thumbon Bashën duke thënë se lideri i ri i opozitës nuk sjell asgjë të re dhe nuk e meriton besimin e shqiptarëve.

“Më shumë se sa studimi në perëndim, lideri i ri në ‘perëndim’ ka në biografinë e tij tramvajin e Tiranës. Nga ana tjetër ajo është e njëjta jo vetëm shtëpi, por e njëjta firmë, e njëjta familje politike. Madje pjesa që e përfaqësonte atë në një formë besnike është eliminuar dhe ku është një mish-mash i vërtetë. 

 Natyrisht që ai që ishte me këtë, ishte gogoli i shtëpisë, ky është kukulla e shtëpisë. Por gogoli nuk ka ikur nga shtëpia, është aty dhe tek dera ka ardhur mamadhia.

Pra është një kukull në duart e gogolit dhe duke pasur mamadhinë tek dera, bëhet e qartë se nuk bëhet fjalë për të zgjedhur një alternativë por për tu kthyer mbrapa dhe për t’i rikaluar përgjegjësitë dhe punët e këtij shteti në duart e një katërshe që i ka pasur të gjitha mundësitë, i ka abuzuar të gjitha dhe nuk meriton besimin e shqiptarëve”, tha Rama.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re